Pas takimit jo formal më 18 Maj të krerëve të Ballkanit Perendimor me Përfaqësuesin e Lartë për Politika të Jashtme të BE-së, Josep Borell, është paralajmëruar dhe takimi i parë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuciq. Ky takim data e të cilit ende nuk dihet pritet të jetë edhe hera e parë që dy krerët e dy shteteve do të takohen që të bisedojnë për dialogun i cili mund të marrë version final të marrveshjës, pas shtytjeve dhe angazhimeve që janë paralajmëruar nga BE por dhe SHBA-të.
Për të biseduar lidhur me ndryshimet politike në Kosovë, por dhe pritshmërit e tij personale nga dialogu, se çfarë tema do të duhet të trajtohen, dhe si do të duhej që Kosova të angazhohej në raport me kërkesat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës dhe më gjërë, Gazeta Enigma ka biseduar me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kamberi është shprehur se përfundimisht pret përfshirjën e Luginës së Preshevës në dialog, ndërsa pret që kërkesat e palës shqiptare të jenë specifike krahas nevojave për të drejta të barabarta të shqiptarëve në serbi. Poashtu ai pret që dialogu të vazhdoj, mirëpo thotë se BE-ja ka qenë e pafuqishme për implementimin e marrëveshjeve të deri tanishme, dhe që vetëm përfshirja e SHBA-së mund të sjell epilog të knaqshëm.
Ai ka shtuar poashtu se njohja e Kosovës duhet të bëhet në kufinjët e saj aktual, ndërsa si aktivitet i tij si deputet në kuvendin aktual të Serbisë, e cilëson sfidues, mirëpo zëri i tij kritik ndaj shtetit serb nuk do të ndalet kundrejt se fuqia politike e pozitës së sotshme atje është shumë e madhe.
Gazeta Enigma: Cilat janë pritshmëritë e juaja nga qeveria e re e Kosovës në raport me nevojat e qytetarëve të luginës së Preshevës dhe më gjerë, rrjedhimisht a keni besim se do të ndryshoj qasja krahas tyre?
Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës, për vite me radhë, përkundër faktit se me Beogradin zyrtarë kanë tre marrëveshje të nënshkruara, vazhdojnë të mbeten pakica e diskriminuar nga shteti ku jetojnë. Prandaj, në kuadër të dialugut të cilin Kosova do ta zhvillojë me Serbinë, shohim mundësinë reale dhe të fundit ndoshta, për tu ndërmarrë masa afirmative për përmirësimin e pozitës së vet. Ashtu sic është premtuar shumë herë, ne presim përfundimisht vendosjen e parimit të reciprocitetit në të drejta, si qëndrim të Kosovës në këto bisedime për të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Kosova, kemi theksuar shumë herë, është shembull i garancive kushtetuese për të drejtat e komuniteteve, veçmas komunitetit serb, prandaj edhe e ka të drejtën e plotë morale që, nga Serbia, të kërkojë respektim të njejtë për të drejtat e shqiptarëve.
Gazeta Enigma: Cilat janë përshtypjet tuaja për rinisjen e dialogut, a prisni rikonstruktim të dialogut dhe formës së saj nga qeveria Kurti?
Kamberi: Padyshim se qeveria e Kosovës duhet të përgatitet mirë për vazhdimin e dilaogut duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e veta e pse jo edhe ekspert ndërkombëtarë. Është shumë e qartë se dialogu nuk mund të khehet në pikën zero, sepse ka disa marrëveshje që tashmë janë nënshkruar dhe që duhet të obligojnë gjitha palët. Është me rëndësi që të sigurohen mekanizma të zbatimit të këtyre marrëveshjeve të nënshkruara të cilat Sebia, po vazhdon t’i neglizhojë e për më tepër as Bashkimi Europian nuk ka ndërtuar mekanizma të përcjelljes së realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo me të drejtë ngritë dilemat rreth një dilaogu jo efikas. Mendoj se roli të cilin BE i ka dhënë vetes në këtë ndërmjetësim është tepër i brishtë. Të “lehtësosh bisedimet” më duket tepër fleksibil roli i BE-së me një Serbi të dëshmuar për mosrespektim të marrëveshjeve. Prandaj, unë besoj se e vetmja mundësi për dialog efikas e që duhet të përmbyllet me marrëveshjen përfundimtare nuk mund të bëhet pa një rol më aktiv dhe të drejtpërdrejtë të SHBA. Ajo mbetet e fetmja fuqi kredibile që mund të qojë dialogun drejt suksesit.
Gazeta Enigma: Çka do të i sygjeronit Albin Kurtit ose këdo që përcaktohet të dialogoj me Serbinë, çka duhet të ndryshojë që Kosova ta qartësoj pozicionin e saj politik dhe gjeografik, sepse në vazhdimësi kemi parë kritika të mëdha për mënyrën se si kanë biseduar më herët qeverisjet e kaluara me shtetin Serb dhe ndërmjetsimin e BE-së?
Kamberi: Kosova duhet të jetë në ofenzivë politike. Serbia është ajo që ka kryer krime të rënda në Kosovë që cilësohen si krime kundër njerëzimit, pse jo edhe gjenocid, meqë në qëllimin e saj përfundimtarë në luftën e Kosovës, ajo ka dashur të pastrojë Kosovën nga shqiptarët. Këto krime që janë kryer në emër të një politike shtetërore pamundësojnë çfarëdo të drejte pretenduese serbe mi Kosovën. Natyrisht, dialogu duhet përgatitur mirë dhe duhet insistuar edhe në sigurimin e mekanizmave që do ta detyrojnë Serbinë që marrëveshjet e nënshkruara edhe t’i respektojë.
Gazeta Enigma: Përshtypjet e juaja për ‘non-papers’, a mendoni se qëndron diçka e vërtetë prapa këtyre dokumenteve? Dhe a besoni se ndryshimi i kufinjëve në Ballkan do të sillte njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia?
Kamberi: Akoma nuk është e qartë se cilat janë qarqet që po qëndrojnë prapa këtyre non-papers. Por, pavarësisht se kush qëndron prapa tyre, duket se janë iniciativa përmes të cilave po maten reagimet e aktërëve kryesorë. Politika zyrate e BE-së, është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan duke e cilësuar si e rrezikshme për shkak të efektit domino që mund të ketë. Qeveria në Kosovë është poashtu kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Në këtë moment akoma nuk kemi një qëndrim të prerë nga administrate e presidentit Bajden lidhur me idenë e kufijve. Por, njohja e Kosovës nga Serbia duhet bërë në kufijtë e saj aktual, duke inistuar në përdorimin e parimit të reciprocitetit për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Gazeta Enigma: Përfundimisht, në rast se do të kërkohej që ju të përfshiheshit në dialog, a do të ishit i hapur të kontribuoni, pra me një formë që ju të përfaqësonit kërkesat e shqiptarëve të luginës në dialog dhe më gjërë?
Kamberi: Mendoj se çështja e Luginës duhet pakusht të shtrohet në dialog. Sa i përket prezencës fizike të përfaqësuesve shqiptarë në ekipin e Kosovës e shoh problematike, sespe kjo nxitë mandej reagimin e përfshirjes së serbëve të Kosovës në ekipin e Serbisë. Nëse nga ne kërkohet përfshirja logjistike e dhënies së përkrahes ekipit të Kosovës, natyrisht që nuk do të kursehemi për të dhënë kontributin tonë.
Gazeta Enigma: Si deputet në Kuvendin e Serbisë, sa po mundeni të procesoni qështje që do të përmirësonin jetën e qytetarëve shqiptar në këtë shtet, a ka presione politke ndaj jush që të heshtni?
Kamberi: Qeveria aktuale ka një shumicë stabile parlamentare, ajo nuk ka nëvojë për përkrahjen tonë. Vetëm 7 nga 250 deputetët përbëjnë pjesën e opozitës, 6 të grupit tonë parlamentar dhe një i pavarur. Por, është e qartë se nuk i pëlqejnë kritikat, iniciativat dhe kërkesat që në po shtrojmë në parlament, duke e cilësuar qeverinë dhe mbarë shtetin si diskriminues ndaj pakicave, autoritar ndaj lirive dhe të drejtave fundamentale. Shpesh herë kemi përplasje të aspra në seancat e parlamentit, pas secilës paraqitje tonën në seancat e kuvendit, shtypi qevritar nuk heziton për të na sulmuar, por, akoma nuk kemi arritur në pikën kur do të fillojnë edhe presionet politike ndaj nesh si individ. Megjithatë mendoj se raporti i shumicës parlamentare, qeverisë dhe shtetit ndaj nesh si individ është irrelevant.
Kamberi poashtu shtoi se “Ajo që është me rëndësi se ky shtet vazhdon të injorojë kërkesat e tona të drejta dhe legjitime që paraqesim në emërë të popullsisë që përfaqësojmë. Pra problem qëndron te kërkesat e tona politike dhe injorimi i tyre e jo te fakti se a munden të na shtrojnë ndonjë presion politik, sepse këtë nuk munden ta bëjnë. Unë jam deputet opozitarë, përfaqësoj një parti politike të pavarur dhe qëndrimet e mia në parlament varen vetëm nga qëndrimet e partisë që i përkas dhe popullsisë që e përfaqësoj.”
/Gazeta Enigma/ Liridon Rama