Intervistë ekskluzive – Muja: Adem Jashari më frymëzon, Kosova me Shqipëri – jemi një!

Intervistë ekskluzive – Muja: Adem Jashari më frymëzon, Kosova me Shqipëri – jemi një!

“Dardan” dhe “Kuqezi”. Ky është përshkrimi më i mirë që mund t’i bëhet Arbnor Mujës, djaloshit që mbajti të veshur me krenari fanellat e dy vendeve nga toka ilire, shkruan Gazeta “Enigma”.

Muja, i cili vjen nga qyteti i Mitrovicës, vendit simbol jo vetëm të Kosovës por gjithë shqiptarëve, për rezistencën të cilën po e kalon edhe në ditët e sotme.

Më 28 nëntor, Muja feston me krenari si një ‘shqiponjë’ dy krenare datën e flamurit shqiptar, teksa rrëfen edhe emocionet të cilat i pati me të marrë vesh që do të reprezentojë Shqipërinë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Enigma, talenti i reprezentueses shqiptare shprehet si asnjëherë më parë për emocionet me kombëtaren shqiptare, momentet e veçanta, figurat historike që e frymëzojnë si dhe synimet e tij për të ardhmen.

E:Si ndiheni që luani për Shqipërinë, duke pasur parasysh se jeni rritur në Kosovë? Çfarë do të thotë kjo për ju personalisht dhe profesionalisht?

Muja: E kam thënë edhe më herët, ndihem si në shtëpi kur përfaqësoj fanellën e kombëtares, nuk ka dallim Kosova me Shqipëri, jemi një.

E:Si e përjetuat ftesën për të luajtur me ekipin kombëtar të Shqipërisë? A kishte ndonjë moment të veçantë kur e kuptuat se do të ishit pjesë e ekipit?

Muja: Normalitikisht isha i lumtur për ftesën, si çdo futbollist tjetër, është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e ekipit kombëtar dhe të përfaqësosh ngjyrat Kuq e Zi.

E: Çfarë simbolizojnë për ju 28 Nëntori dhe ditët e tjera kombëtare për shqiptarët? A keni ndonjë kujtim të veçantë lidhur me këtë ditë?

Muja: Nëntori është ditë e veçantë për mua dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Pavarësia e Shqipërisë festohet edhe në Kosovë. Kujtim të veçantë kam përgatitjet dhe shfaqjet që bënim si fëmijë në shkollë, për 28 Nëntor.

E: Si e përjetoni identitetin tuaj kombëtar si një lojtar i Kosovës që luan për Shqipërinë? A ndiheni ndonjëherë në konflikt me këtë identitet?

Muja: Nuk ndihëm në konflikt, kam pasaportë shqiptare dhe kosovare, jam shqiptar nga Kosova, dhe në të dyja vendet ndihem si në shtëpi, flasim gjuhën e njëjtë, e kemi të njejtat tradita.

E: A ka ndonjë figurë historike shqiptare që ju frymëzon dhe pse? Si ndikon kjo në performancën tuaj si sportist?

Muja: Adem Jashari është figura historike shqiptare që më frymëzon , motivohem shumë shpesh me këngë te dedikuara drejt tij, e sidomos kur luajmë në stadiumin “Air Albania”.

E: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin karrierën e futbollit?

Muja: Për të rinjtë kam një mesazh, mos u ndaluni kurrë së besuari, gjithçka është e mundur, punoni dhe fokusohuni në performancat e juaja, t’jeni çdo ditë 1% më i mirë se që keni qenë dje.

E: Si e shihni rolin e futbollit në bashkimin e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit?

Muja: Futbolli është mundësi tepër e mirë për bashkimin e shqipëtarëve. Siç e dini në kombetarën tonë kemi lojtaë nga të gjitha trojet shqiptare, e kjo e bën edhe me emocional grupin tonë.

E: Cila ka qenë përvoja juaj më e paharrueshme me ekipin kombëtar dhe çfarë e bën atë të veçantë?

Muja: Përvoja më e paharrueshme ka qenë vitin e kaluar, kur u kualifikuam për Evropian. Ndjenjë e paharrueshme.

E:Cilat janë synimet tuaja personale dhe për ekipin kombëtar në të ardhmen e afërt?

Muja: Synimi im për kombëtaren është të kualifikohemi në Botëror dhe ta gjej golin e parë sa më shpejtë me fanëllen “Kuq e Zi”.

E:Çfarë do të doje të thuash tifozëve shqiptarë, veçanërisht në një ditë kaq të rëndësishme si 28 Nëntori?

Muja: Do ju them: Urime festën e Pavarësisë të gjithëve, festojmë së bashku dhe të ndihemi krenar që jemi shqiptarë!

Kujtojmë që Muja ishte i ftuar te Kosova, teksa ishte pjesë edhe e moshave të reja të ‘dardanëve’, por që më pas vendosi ta reprezentojë Shqipërinë.

Gjatë kohës sa ishte pjesë e futbollit kosovar, ai ishte pjesë e klubi Trepça ’89 dhe Drita. /Gazeta Enigma/

Related Articles