INTERVISTË: Trajneri i parë i Kosovës rrëfen për krijimin e ekipit dhe ndeshjen e parë historike të ‘Dardanëve’

INTERVISTË: Trajneri i parë i Kosovës rrëfen për krijimin e ekipit dhe ndeshjen e parë historike të ‘Dardanëve’

Më 15 shkurt të këtij viti, Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë, e cila u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore evropiane.

Përpjekjet për mvetësi nisën që nga vitet e 90-ta, që më shumë se tri dekada, kontribut në pavarësimin e Kosovës ka qenë në të gjitha fushat nga politika e te sporti.

Kosova krenohej me futbollistin Fadil Vokrri, lojtar i cili i bëri për vete përveç shqiptarëve edhe të gjithë Evropën.

Futbollistët, trajnerët, investitorët nuk e ndalën futbollin as në vitet e 90-ta duke refuzuar që t’i nënshtroheshin regjimit serb dhe ligjeve të tij.

Shqiptarët e Kosovës arritën që të ndërtojnë sisteme paralele në shumë fusha, përfshirë këtu edhe sportin. Ani pse futbolli luhej në livadhe e fusha me lloç, vullneti dhe dëshira e madhe për këtë sport nuk i ndaloi asnjëherë.

Në vitin 1991 u formua Liga e Pavarur e Kosovës në futboll, një vit më vonë pasoi edhe formimi i Kombëtares së Kosovës.

Trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar se ku e zhvilluan ndeshjen e parë Kosova, a pranoi Shqipëria të luajë miqësore me ta.

Ai po ashtu tregon se si e ka parë zhvillimin e futbollit në Kosovë në 30 vitet e fundit, si e vlerëson punën e FFK-së dhe klubeve kosovare.

“Ligën e Pavarur të Kosovës që e formuam në vitin 1991 për të pasur peshën dhe rëndësinë e vet, e pas formimit të ligës, i mblodhëm forcat për ta formuar edhe Kombëtaren e Kosovës”, nis rrëfimi i Ajet Shoshollit për Gazetën Enigma.

Menjëherë pas formimit të Kombëtares së Kosovës, drejtuesit e saj ishin vën në lëvizje që ta aranzhonin ndeshjen e parë për “Dardanët”.

Pas formimit të Kombëtares së Kosovës, në pranverën e vitit 1992 filluam bisedimet me krerët e Shkëndisë së Tetovës për zhvillimin e një miqësore me këtë ekip. Bisedat ecën mirë dhe shumë shpejt arritëm dakordim që ta zhvillojmë një ndeshje që e caktuam 5 prillin për zhvillimin e kësaj ndeshje”, tregon trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli.

Historia u shkrua më 5 prill të vitit 1992, ditë e diel, ishte edhe festa e Bajramit, Kosova zhvilloi ndeshjen e parë miqësore ndaj Shkëndisë së Tetovës. Atë ndeshje e fituan me rezultat 4:0, por rezultati ishte në plan të dytë thotë Ajet Shosholli.

Ne për Tetovë udhëtuam më 2 prill të atij viti, me 6 vetura, me 3 taksi dhe 3 vetura private. U vendosëm në ish-Popova – Shapke, tani Bregu i Diellit. Derisa ndeshjen e zhvilluam në stadiumin e qytetit në Tetovë, më kujtohet shumë mirë, ishte e diele, ishte festa e Bajramit, në stadium u mblodhën rreth 8 mijë shikues, duke krijuar një atmosferë fantastike. Rezultati nuk ishte në plan të parë, por ne e fituam atë ndeshje me rezultat 4:0”, tregon me nostalgji legjenda e futbollit kosovar, Ajet Shosholli.

Kombëtarja e Kosovës gjeti mikpritje vëllazërore në Tetovë nga klubi i Shkëndisë dhe nga qytetarët shqiptar të këtij qyteti.

Vlen të theksohet se gjatë qëndrimit tonë në Tetovë, hasëm në një mikpritje vëllazërore, ashtu siç i ka hije nga kryesia e klubit të Shkëndisë dhe po ashtu nga qytetarët e Tetovës. Për gjatë këtyre tri ditëve, të gjitha shpenzimet i mbuluan drejtuesit e Shkëndisë”, tregon ai.

Një vit më vonë, 1993, Kosova zhvilloi ndeshje tjetër me Kombëtaren e Shqipërisë, përpos Shqipërisë, zhvilluan edhe ndeshje tjera, nga 11 deri më 18 shkurt.

Pas ndeshjes së parë në vitin 1992, një vit më vonë në 1993 udhëtuam për në Tiranë për bisedime për ta aranzhuar një ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë. Aty hasëm në mirëkuptim, për një turne një javor 11 deri më 18 shkurt”, zbulon trajneri i njohur kosovar për Gazetën Enigma.

Trajnerët, futbollistët dhe stafi i Kombëtares së Kosovës ishin të vëzhguar vazhdimisht nga regjimi serb. Si pasoj e kësaj, udhëtimi në Tiranë u organizua në mënyrë idividuale, fillimisht udhëtuan për në Shkup, e prej aty udhëtuan me autobus në drejtim të Shqipërisë.

Udhëtimin në Tiranë e organizuam në atë mënyrë që e gjithë ekspedita fillimisht të udhëtojë deri në Shkup në mënyrë individuale apo në grupe të vogla, për shkaqe sigurie, pasi ishim nën vëzhgim nga agresori serb. Derisa prej Shkupit e në Shqipëri udhëtuam të gjithë së bashku me një autobus”, tregon 77-vjeçari mitrovicas.

 Kosova i zhvilloi dy ndeshje në Tiranë, më Shqipërinë më 14 shkurt dhe me Albpetrolin më 17 shkurt.

Në Tiranë ndeshjen e parë e zhvilluam më 14 shkurt 1993, para dy ditëve e kishim edhe përkujtimin e kësaj ndeshje në zyrat e FFK-së, me futbollistët që kanë qenë pjesëmarrës të asasj ndeshje. Rezultati i asaj ndeshje ishte 3:1 në të favor të Shqipërisë. Pastaj më 17 shkurt zhvilluam edhe ndeshjen e dytë me ekipin e Albpetrolit që në atë kohë ishte finaliste e Kupës së Shqipërisë, rezultati i asaj ndeshje ishte 3:2 në favor të Kosovës”, tregon Ajet Shosholli që zejën e trajnerit e nisi në vitin 1973 me Kosovën e Vushtrrisë.

Ai tregon se pasi u kthyen në Kosovë pas zhvillimit të këtyre dy ndeshjeve u morën në pyetje nga regjimi serb për orë të tëra.

Pas këtyre ndeshjeve disa prej nesh ishin të ftuar në biseda informative në organet e pushtetit serb. Në këto biseda ishim të ftuar: Agim Bytyqi kryetar në Prizren, unë si seleksionues në Mitrovicë dhe Jakup Berisha anëtarë i kryesisë në Gjilan. Natyrisht bisedat ishin për orë të tëra dhe aspak të këndshme, por ja që ka qenë mënyra e tillë e pushtetit serb në atë kohë”, tregon ai.

Trajneri i njohur mitrovicas, tregon se i kishin formuar edhe reprezantacionet në katër regjione, të Prishtinës, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt.

Përveç ndeshjeve të theksuara më lartë kemi pasur të formuara edhe reprezantacionet e katër regjioneve: Prishtinës, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt. Me këto katër reprezantacione kemi zhvilluar ndeshje në formë të turnirëve si dhe me selekcionin A të Kosovës”, thotë ai.

Shosholli thotë se futbolli në Kosovë gjatë këtyre tri dekadave të fundit ka përparuar. Ai thotë se aplikimin për pranim në FIFA e UEFA e kishin bërë në vitin 1992.

Mendoj që për këto 30 vite kemi një progres të theksuar të futbollit kosovar edhe pse dihet se gjatë viteve 91-99 në çfarë kushte i kemi zhvilluar garat.  Aplikimin për pranimin në UEFA dhe FIFA e kemi bërë zyrtarisht qysh në vitin 1992, mendoj që pranimi është zgjatë më tepër se sa që është dashur”, thotë ai.

Ai thotë se pas pranimit në UEFA e FIFA, futbolli kosovar ka pasur progres të mirë, duke e marrë shembull suksesin e FC Ballkanit që ishte pjesëmarrës në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

“Në futbollin kosovar deri tani kam parë një përparim të theksuar, posaqarisht pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Ky progres apo përparim shihet në disa klube të cilat kanë nisur të investojnë. Për shembull e kemi skuadrën e Ballkanit që shkroi historinë duke u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës duke hyrë në histori si klubi i parë kosovar që e arrin këtë sukses. Falë këtij suksesi, klubi përfitoi edhe një shumë të konsiderueshme të parave”, vlerëson ai.

Ajet Shosholli i thur elozhe edhe Federatës së Futbollit të Kosovës për për punën që e ka bërë pas pranimit në UEFA e FIFA deri më tani.

Përveç punës që ka bërë FFK-ja për pranimin në UEFA dhe FIFA, po ashtu janë formuar edhe të gjitha grup-moshat zingjir të komëbtareve, liga e femrave, liga e futsallit si dhe shume fusha të futbollit në qytete të ndryshme të Kosovës. Kompleksi nacional i fushave në Hajvali tregon punën e madhe që është bërë nga FFK-ja, gjë e cila tregon se është ende e nevojshme për ndërtimin e infrastrukturës në futbollin kosovar”, potencon ai.

Shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Ajet Shosholli e kishte pritur me shumë emocione.

17 shkurti për të gjithë neve shqiptarëve është datë historike, unë, personalisht e kam pranuar me emocione të mëdha, me bindje që shumë gjëra do na shkojnë më mirë se para vitit 2008-të”, shprehet ai i emocionuar për 15 – vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë që Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016 me të drejta të plota. Që nga viti 2016-të, Kombëtarja e Kosovës merr pjesë në të gjitha garat e organizuara nga FIFA e UEFA me të drejta të plota me të gjitha moshat sikurse te djemtë ashtu edhe te vajzat.

Related Articles