Isa Mustafa i del në krah Qeverisë për referendumin serb, kërkon guxim në përmbylljen e dialogut

Isa Mustafa i del në krah Qeverisë për referendumin serb, kërkon guxim në përmbylljen e dialogut

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i ka dal në krah Qeverisë “Kurti”, dhe rezolutës së Kuvendit të Kosovës, lidhur me ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ai për Gazetën “Enigma”, deklaroi se pavarësisht këtij vendimi, fokus i qeverisë duhet të jetë ruajtja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar.

“Vendimi për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të shtetit serb në Kosovë është plotësisht i drejtë. Sidomos kur kihet parasysh se Serbia akoma e mban Kosovën si pjesë të saj në preambulën e Kushtetutës serbe. Tjetër është fragjiliteti i marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit me partnerët tanë, pa të cilët nuk mund të përmbyllet procesi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë”, tha Mustafa.

Sipas tij duhet treguar guxim në përmbylljen e dialogut me Serbinë. “Për aq sa ne po vonohemi, Serbia po fiton terren në përkrahjen ndërkombëtare. Guximi për të kundërshtuar referendumin e Serbisë duhet të shoqërohet me guximin e institucioneve që e kanë votën më të madhe për të përmbyllur dialogun”, ka thënë ish kreu i LDK-së.

Ndërkohë kujtojmë se, në pamundësi për të votuar në Kosovë, serbët e Kosovës, i janë drejtuar kutive të votimit në Serbi.

Ndonëse ata protestuan për ndalimin që iu bë atyre nga ana e institucioneve kosovare, një situatë e tillë kaloi pa incidente të theksuara/ Gazeta Enigma.

Related Articles