Ish-ambasadori amerikan në Beograd thotë se marrëveshja për Asociacionin është arritur shumë kohë më parë

Ish-ambasadori amerikan në Beograd thotë se marrëveshja për Asociacionin është arritur shumë kohë më parë

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, ndër të tjera ka analizuar paraqitjen dhe punën e diplomatëve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd në intensifikimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Epilogu i këtyre bisedimeve duhet të jetë përfundimisht një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve të udhëhequra nga Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq.


“Mendoj se të dy duan të japin përshtypjen se janë të detyruar pa dëshirë të bien dakord për një plan që nuk është i përsosur. Dhe kështu duhet të jetë, sepse nëse do të ishte perfekt për njërën palë, tjetra do të ishte jashtëzakonisht e pakënaqur. Kështu që është më mirë që të dyja palët të jenë mesatarisht të pakënaqura”, beson Kirby.

Duke shpjeguar gatishmërinë e tij për të pranuar planin e BE-së, versioni zyrtar i të cilit ende nuk është bërë i ditur, presidenti serb Vuçiq foli për presionet ndaj të cilave Serbia mund të ekspozohet në rast të një përgjigjeje negative.

Ai më së shumti aludoi për ekonominë, por edhe për bllokimin e mundshëm të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Duket se Vuçiq është kthyer në një kënd, ku duhet të zgjedhë anën në të cilën dëshiron të rreshtohet: nëse do të jetë pala evropiane apo pala agresore ruse. Është sikur të ishte informuar se nëse nuk fillon të bëjë lëvizjet e duhura në lidhje me Kosovën, atëherë e ardhmja e Serbisë do të jetë pa Bashkimin Evropian”, tha Kirby.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ngadalësua veçanërisht gjatë vitit 2022, periudhë kjo e shënuar nga sulmi dhe agresioni ushtarak i Rusisë kundër fqinjit të saj të afërt, Ukrainës.

Kjo lëvizje e Rusisë, si dhe ndikimi i fortë që ruan ruan në Ballkan – veçanërisht në Serbi, bazuar në një masë të madhe në çështjen e Kosovës, padyshim se i përshpejtoi emisarët perëndimorë në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund sa më shpejt mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të thuhet me 100% siguri se Serbia dëshiron të heqë qafe ndikimin rus. Qeveria atje përbëhet nga mbështetës të shumtë të Rusisë – le të marrim për shembull zotin Vulin. Kjo nuk është e vërtetë për zotin Vuçiq – ai duket se dëshiron të ndjekë një vijë të drejtë që duket se është më afër Rusisë. Gjithashtu, nuk mendoj se rusët do të hiqnin dorë nga Serbia kaq lehtë. Ata kanë shumë interesa që Serbia të jetë në dispozicion të tyre”, thotë Michael Kirby.

Sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilit pos Serbisë po insistojnë edhe BE-ja dhe SHBA-ja, Kirby tha se realiteti nganjëherë është tejet i hidhur dhe se marrëveshja për themelimin e Asociacionit është arritur shumë kohë më parë.

“Realiteti ndonjëherë është i ashpër, por marrëveshja për Asociacionin është arritur shumë kohë më parë. Tani jemi në vitin 2023 dhe kjo marrëveshje duhet të zbatohet në një moment. Jam optimist se zbatimi mund të ndodhë me një marrëveshje me Kurtin apo ndonjë qeveri tjetër në Prishtinë”, thotë Kirby.

Related Articles