Ish-ambasadori i Kosovës optimist për liberalizimin e vizave, dialogu Kosovë – Serbi një maratonë pa cak

Ish-ambasadori i Kosovës optimist për liberalizimin e vizave, dialogu Kosovë – Serbi një maratonë pa cak

Ish – ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, në një intervistë për Gazetën Enigma komentoi rrjedhën e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.



Sipas Abazit dialogu Kosovë – Serbi duket se nuk ka një fund dhe se ngjanë me një maratonë që nuk ka cak.

“Çdo dialog duhet të ketë një fund, po ky midis Serbisë dhe Kosovës po duket sikur të mos ketë fund. Më shumë i ngjanë një maratone që nuk ka cak”, thekosi Abazi.

Kurse sa i përket deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili u shpreh se janë gati 8 shtete të cilat do të tërheqin njohjen ndaj Kosovës, Abazi theksoi se deklaratat e tilla nuk janë befasuese sepse shteti serb vazhdimisht ka lobuar që shtetet e ndryshme ta tërheqin njohjen.

“Nuk është aspak befasuese kjo deklaratë. Serbia vazhdimisht ka lobuar që shtete të ndryshme të tërheqin njohjen, me qëllim që ajo të demonstrojë se mund të kundërveprojë edhe ndërkombëtarisht ndaj Kosovës por edhe ndaj aleatëve tanë”, tha Abazi.

Ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave, ish – ambasadori Abazi shprehet optimist, pasi që sipas tij Kosova tash e një kohë i ka plotësuar kushtet.

“Liberalizimi është vonuar shumë. Sa i përket standardeve Kosova i ka plotësuar kaherë. Kësaj here është ndryshe, tashmë liberalizimi i vizave është i gjasshëm”, deklaroi Abazi.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë me ish-ambasadorin Hajdin Abazi:

Gazeta Enigma: Si e vlerësoni procesin e dialogut Kosovë – Serbi deri tani?

Hajdin Abazi: Çdo dialog duhet të ketë një fund, po ky midis Serbisë dhe Kosovës po duket sikur të mos ketë fund. Me shumë i ngjanë një maratone që nuk ka cak. Si një gur Sizifi që i rëndon të dy popujt, shqiptarët dhe serbët. Prapë se prapë, dialogu është i pa alternativë, sidomos për ne shqiptarët. Aq më tepër, që tashmë janë sinkron SHBA dhe BE, që po shprehet me emisarët Escobar dhe Lajçak. Nuk është lehtë, por duhet të gjendet një zgjidhje që të mos mbetemi peng. Por për shkak se Beogradi me sa duket është e interesuar për manovrim e jo për zgjidhje, dialogu po prolongohet, edhe pse dihet se cili do të jetë fundi i tij.

Gazeta Enigma: Si i komentoni deklaratat e presidentit serb se janë gati 8 njohje ndaj Kosovës të cilat do të tërhiqen?

Hajdin Abazi: Nuk është aspak befasuese kjo deklaratë. Serbia ka lobuar vazhdimisht që shtete të ndryshme ta tërheqin njohjen, me qëllim që ajo të demonstrojë se mund të kundërveprojë edhe ndërkombëtarisht ndaj Kosovës por edhe ndaj aleatëve tanë. Këtë e dëshmon edhe marrëveshja e fundit midis dy ministrave të jashtëm, atij rus dhe serb, për bashkëpunim të rregullt, dhe kjo po ndodhë kur pushtimi rus nê Ukrainë po vazhdon edhe pse e tërë bota demokratike është distancuar, e ka dënuar dhe i ka vênë sanksione, përveç Serbisë. Këto qasje në politikën e jashtme mund të sjellin rrezik jo vetëm për shqiptarët por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, Kosova duhet të jetë shumë më aktive ndërkombëtarisht, sepse mundet të bëjë më shumë.

Gazeta Enigma: A mendoni se liberalizimi i vizave është afër? Duke e marrë parasysh deklaratën e fundit të ambasadorit Rohde, i cili tha se në fillim të vitit do të ketë liberalizim të vizave.?!

Hajdin Abazi: Liberalizimi është vonuar shumë. Sa i përket standardeve Kosova i ka plotësuar kaherë. Madje disa herë është premtuar, por pastaj nuk është realizuar. Kësaj here është ndryshe, tashmë liberalizimi i vizave është i gjasshëm, para se gjithash sepse po duket se ka një dakordancë gjermano-franceze rreth Kosovës. Kosova e meriton si të gjitha vendet e tjera të rajonit që të lëviz lirshëm nëpër kontinent të cilit i takon. /GAZETAENIGMA/

Related Articles