Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane të enjten, teksa zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha” në këtë spital.
Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona dhe ka persona të plagosur nga ky sulm. Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.
Spitali i goditur ka mbi 1.000 shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas uebfaqes së spitalit.
Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi reaktorin e ujit të rëndë [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë], raportoi televizioni shtetëror iranian më 19 qershor.
Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i afërt Khondab, tha se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.
Mëngjesin e së enjtes, Izraeli paralajmëroi se do të godiste këtë ndërtesë dhe u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona. Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve ajrore të së enjtes ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.