Jep dorëheqje drejtoresha e QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hajdari, emërohet ushtruesi i detyrës

Jep dorëheqje drejtoresha e QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hajdari, emërohet ushtruesi i detyrës

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan aktualisht udhëhiqet nga një ushtrues detyre, shkruan Gazeta “Enigma”.

Drejtoresha e QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hajdari, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka treguar se ajo tashmë ka dhënë dorëheqje nga ky post.

“Unë nuk jam më në krye të QKMF-së në Gjilan, kam dhënë dorëheqje”, tha ajo.

Gazeta “Enigma” ka marr vesh se në pozitën e saj aktualisht është Basri Kamberi.

Kamberi në një përgjigje për mediumin tonë tha se pas dorëheqjes së Hajdarit ai është emëruar si ushtrues detyre në këtë pozitë.

“Unë aktualisht jam si ushtrues detyre në këtë pozitë deri në hapjen e një konkursi për drejtor në QKMF”, tha Kamberi për “Enigmën”.

Në pyetjen tonë se kur pritet të hapet ky konkurs, ai është përgjigjur se “nuk ka informacione për këtë punë”.

Kujtojmë se në muajin e kaluar në disa media u raportua se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni po synon që në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të QKMF-së, ta vendosë Basri Kamberin, i cili e ka dhëndër Kryetarin e Komunës së Kamenicës.

Në lidhje me këtë çështje Kamberi për Gazetën “Enigma” tha se ajo që është përfolur nuk ka të bëj asgjë me punën time.

“Ajo që është raportuar në media nuk ka të bëj asgjë me punën time dhe me dhëndrin”, tha Kamberi.

Kujtojmë se Arbenita Hajdari u emërua drejtoresh e QKMF-së në Gjilan më 18 gusht të vitit 2020. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles