Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar të enjten se hetuesit kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës që ndodhi një ditë më parë në Prishtinë.
Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në njoftimin për media të IPK-së.
Aktivistë të Partisë Socialdemokrate nëpërmjet protestës ku u përdor gazi lotsjellës dhe mjete shpërthyese e kanë kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Gjatë përplasjes së tyre me Policinë e Kosovës janë arrestuar gjashtë anëtarë të kësaj partie. Reagimi i policisë është kritikuar nga përfaqësues të këtij subjekti politik, të KMLDNJ-së, të AGK-së e të OVL të UÇK-së.