Kamberi kërkon nga Kosova dhe Shqipëria që Fondi për Luginën të bëhet realitet

Kamberi kërkon nga Kosova dhe Shqipëria që Fondi për Luginën të bëhet realitet

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë më 20 qershor në mbledhje të përbashkët kanë nënshkruar 19 marrëveshje ndërqeveritare, por në asnjërën nga to nuk janë përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndërkaq ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka përshëndetur ujditë mes Prishtinës dhe Tiranës, derisa ka kërkuar që premtimi i Fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës nga të dyja Qeveritë të bëhet realitet, shkruan Gazeta Enigma.

Ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi

Kamberi, në një prononcim për Enigmën, ka thënë se shpreson që një nga vendimet e mbledhjeve të para të dy qeverive, të mbajtur në Prizren, për krijimin e Fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës të bëhet realitet sa më shpejtë.

“Republika e Kosovës the e Shqipërisë të jenë më pro aktive në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, ka deklaruar Kamberi për Enigmën.

Sipas tij, këto janë lajme të mira pasi kohëve të fundit u raportua për një raport të keqësuar mes dy kryeministrash.

Ndërsa njohësi i së drejtës dhe çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një përgjigje për Gazetën Enigma theksoi se asnjëra Qeveri që nga paslufta nuk kanë pasur ndonjë projekt serioz në lidhje me Luginën e Preshevës.

Njohësi i së drejtës dhe çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula

“Që nga paslufta e këndej asnjëra qeveri nuk ka shprehur ndonjë interesim përmbajtjesor serioz, që të merret e trajtoj nevojat jetike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka deklaruar Pula.

Tutje ai ka shtuar se “në memorien tonë, nuk ka një aktivitet kombëtar e kulturor të parvjetshëm për ato tre komuna të banuara me bashkëkombësit tanë, fatkeqësisht”.

Ai ka shtuar se Kosova ka bërë shumë pak për shqiptarët andej kufirit.

“E si rrjedhojë nuk është investuar në ndërtimin e asnjë shkolle, teatri apo shtëpi kulture, përkundër që Serbia për qytetarët serb që jetojnë në Republikën e Kosovës kujdeset e për çdo vit kalendarik ndan dhjetëra miliona euro për nevojat e tyre”, ka deklaruar Pula për Enigmën.

“As në dialogun e zhvilluar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka diçka specifike për Luginën e Preshevës”

“Madje edhe nga dialogu i zhvilluar në Bruksel, ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk ka rrjedhur ndonjë marrëveshje që specifikisht do t’i trajtonin ata qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë brenda autoritetit shtetëror serb”, tha ai.

Analisti politik Gazmir Raci

Në lidhje me këtë çështje Enigma ka kontaktuar analistin, Gazmir Raci, i cili ka deklaruar se kësaj radhe nuk pamë një angazhim nga të dyja Qeveritë për Luginën e Preshevës.

“Asnjëra Qeveri nuk u kujtua për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por mos të harrojmë që këto dy Qeveri do të duhej ta vazhdonin edhe një angazhim tjetër sa i përket shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi edhe ata janë duke jetuar në kushte jo shumë të mira sa i përket lirive dhe të drejtave njerëzore”, pohoi Raci.

Tutje ai ka shtuar se “kësaj radhe nuk pamë një angazhim në atë drejtim, por kisha pasur dëshirë që edhe pjesa e Preshevës mos të harrohet nga të dyja qeveritë, duke ju ndihmuar në forma të ndryshme”.

Këto janë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

/Gazeta Enigma/

Related Articles