KE: Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saj

KE: Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saj

Komisioni Evropian vlerëson se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet. Kështu ka thënë komisionerja për zgjerim Marta Kos, në një debat në Parlamentin Evropian kushtuar raportit për Kosovën. Ky raport, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pritet të votohet sot gjatë ditës në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

“Është në interesin e  Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saja për t’i quar përpara reformat urgjente evropiane”, ka thënë Kos duke veçuar edhe  nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri”. 

“Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, ka thënë Kos.

Ajo ka përsëritur edhe nevojën që Kosova të përmbushë pa vonesa obligimet e saja nga Marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, komisionerja Kos është shprehur se Komisioni është i gatshëm që ta nisë punën për përpilimin e mendimit për kërkesën e Kosovës sapo ta marrë një mandat për një gjë të tillë nga Këshilli i BE-së.

Raportuesi për Kosovën, deputeti nga Estonia, Riho Terras, ka kërkuar gjatë debatit po ashtu heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.     

“Kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që në fillim. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur agjendën evropiane të Kosovës. Kjo është arsyeja pse duhet t’i heqim masat dhe t’i mundësojmë Kosovës të avancojë duke përdorur fondet të cilat i ofrojmë”, ka thënë ai.

Related Articles