Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth mundësinë së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në vendin tonë. Thotë se lidhur me këtë çështje nuk është arritur marrëveshje në mes të qeverive të të dy shteteve.
“Në të gjitha bisedimet të cilat janë zhvilluar qoftë në Bruksel qoftë nëpërmjet faktorëve ndërkombëtar të BE’së apo Quint’it që ka ndërmjetësuar unë kam qenë i përkushtuar për marrëveshje, kam qenë konstruktiv në qasje dhe kam qenë kreativ me ide”, tha Kurti.
“Në rastin e fundit të zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë për datën 3 prill ne kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje paraprake në bazë të së cilës do të mund të mbaheshin ato zgjedhje edhe në Republikën e Kosovës. Unë e kuptoj se ka qytetarë të Kosovës që e kanë edhe nënshtetësinë e Serbisë, duan të votojnë në zgjedhjet e Serbisë mirëpo kjo është e mundshme pasi që të kemi një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai në një intervistë për RTK’në.
“Për tu bërë ajo marrëveshje letrën e kërkesës për mbajtje ë zgjedhjeve natyrisht që ne si qeveri e Republikës së Kosovës e presim nga qeveria e Republikës së Serbisë. Pra ai që është i interesuar për një gjë e bën kërkesën. Kur ne e pranojmë kërkesën dhe jemi dakord, kjo bëhet marrëveshje”, shpjegoi Kurti.
“Ne kemi thënë që zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd do të mund të shfrytëzoheshin si kanale logjistike të komunikimit mirëpo komunikimi normal duhet të jetë qeveri me qeveri. Në vend se të drejtohen qeveri me qeveri ata kanë synuar që kjo të jetë zyrtari ndërlidhës me zyrtarin ndërlidhës”, tha Kryeministri.
“ Nuk e kemi një marrëveshje , është për të ardhur keq që nuk e arritëm marrëveshjen”, shtoi ai.