Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në konferencën e fundit për media ka deklaruar se është duke e shqyrtuar mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ajo bëri të ditur se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do të paguhen nga buxheti i shtetit përmes rimbursimit, ku mjetet do t’u kalohen prindërve përmes platformës e-kosova.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se ky vendim është qesharak dhe se ministrja Nagavci është treguar “e papjekur dhe cinike”.
“Deklarimi i sotëm para mediave i zonjës Nagavci është tmerrues ngase nga tani po del se nuk do të kemi në mënyrë të organizuar tekste të shpërndara as nga klasa 1-5 e as 6-9 por prindërit ato tekste duhet t’I marrin në librari dhe aq më tepër është cinike, e pamatur dhe pa asnjë argument kur Nagavci thotë se gjoja për ta mbrojtur buxhetin e Kosovës ngase shtëpitë botuese i kanë ngritur dukshëm çmimet dhe zonja Nagvci me komisionet e saj është dashtë ta vërej këtë”, tha Jasharaj.
Tutje ai ka shtuar se “deklarata se prindërit duhet t’i blejnë tekstet e më pastaj do të rimbursohen është shumë e papjekur sepse nëse tekstet qenkan të shtrenjta për MASHTI-n, po ato tekste prindi do të detyrohet t’i blejë dhe ta pres mëshirën e Hekuran Muratit ai që e mban kuletën e shtetit. Prindërit do të presin me muaj e me muaj derisa të ju rimbursohen këto mjete”.
Jasharaj ka theksuar se prindërit nuk i kanë mjetet për t’i blerë librat.
“Nagavci duhet ta dijë se shumë nga prindërit nuk i kanë mjetet tani që të ua blejnë librat fëmijëve të tyre dhe pastaj do të ju duhet të presin gjatë për rimbursim”, u shpreh Jashari.
Sipas tij ministrja e MASHTI-t nuk është konsultuar as me Këshillin e Prindërve e as me SHBASHK-un për këtë vendim.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me kryetarin e Këshillit të Prindërve, Besnik Dragushën, i cili tha se janë të shqetësuar që ky njoftim fillimisht është bërë vetë 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, dhe shpreson që mënyra e sigurimit të librave për të cilën ka njoftuar Nagavci të mos jetë finale.
“Si prindër jemi shumë të shqetësuar…Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës kemi bërë kërkesë në Ministri që të bëhet edhe blerja e teksteve nga klasa e 6 deri në klasën e 9”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se “e kemi marrë për punë të kryer sigurimin e librave nga Ministria e Arsimit, ndërsa i bëri thirrje ministres Arbërie Nagavci që sa më shpejtë t’i sigurojë librat për nxënësit”.
Pas këtij njoftimi nga ministrja Nagavci ka pasur edhe reagime të shumta në kundërshtim të këtij vendimi nga MASHT-i.
Libraria Dukagjini ishte ndër të parët që i reaguan ministres Nagavcit.
“Oferta jonë ka qenë për 4% më e lirë sesa në vitin 2022”
Shtëpia botuese Dukagjini, ka thënë se e kanë ofruar çmim më të lirë për librat për katër për qind në krahasim me vitin 2022.
Ata thonë se pajisja e fëmijëve me libra është prioritet mbi prioritetet.
“Kemi ofertuar më lirë se vitin e kaluar. Shtëpia botuese “Dukagjini” është duke përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë në raport me librat për filloristët”, thuhet në njoftim.
“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022”.
“Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”.
Krasniqi për vendimin e MASHT rreth librave: Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë lidhur me vendimin e fundit nga MASHT, ku nuk është arritur marrëveshja me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin e librave për nxënësit, me ministren Nagavci që tha se këtë vit paratë për blerjen e librave do t’u transferohen direkt prindërve në xhirollogari, nëpërmjet platformës E Kosova.
I pari i PDK-së e ka quajtur këtë si një skandal të radhës të Qeverisë aktuale, ku sipas tij, përveç rritjes së kostot të jetesës, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit tani duhet të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Krasniqi ka përmendur ish-presidentin Thaçi, që sipas para 15 viteve e kishte lehtësuar barrën e shkollimit të fëmijëve kosovar, përmes librave falas.
Ndër të tjerash ai ka thënë se Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.
Bajrami e LDK-së i reagon Nagavcit: Ministre, mos i merr në qafë fëmijët, mos i le pa libra se nuk ta kanë borxh
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencë për media tha se MASHT-i po shqyrton mundësinë që paratë të barten në llogaritë e prindërve për blerjen e librave.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se dështimin e ministrisë do ta paguajnë fëmijët dhe prindërit.
Madje ajo ka parashtruar edhe disa pyetje, lidhur me atë se çfarë nëse paratë që do tu barten në llogari prindërve nuk do t’u mjaftojnë dhe çfarë nëse nxënësit nuk arrijnë me kohë të furnizohen me të gjitha librat.
Berisha i reagon Nagavcit: Arritën me bo shtetin hajgare, vjedhje edhe në libra të fëmijëve
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka reaguar për mosdhënien e librave për fëmijet sivjet, i cili u shpreh se për të kjo është një vjedhje e cila kryhet në librat e fëmijëve.
Berisha ka thënë se po ndjenë keqardhje për Kosovë, ku sipas tij pushteti ka arritur që ta bëjë “shtetin hajgare’.
Gashi: Shumicën e teksteve mësimore duhet me i djegë
Aktivisti dhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi ka reaguar pasi Ministria e Arsimit mori vendim që të ndërpritet praktika e deritanishme që shteti të blejë librat nga shtëpia botuese, si alternativë mjetet financiare do të transferohen te prindërit për ta kryer procesin e blerjes së teksteve mësimore.
E Gashi thotë se do të gëzohej nëse stopohet përdorimi i teksteve aktuale shkollore.
Sipas tij, shumica prej tyre ”janë libra të këqij”, rrjedhimisht duke cituar Umbert Eco “librat e këqij duhet djegur”.
”Shumë u pata gëzu kur stafi mësimdhënës i shkollave fillore e të mesme në kosovë u pat futë në grevë sepse sa ma pak kontakt që kanë thmitë me shumicën dërmuese të pjesëtarëve të këtij stafi, qaq ma mirë për thmitë”.
”Njësoj gëzohna shumë nëse naj qysh stopohet përdorimi i teksteve aktuale mësimore. bile-bile, mendoj që shumicën e këtyne teksteve mësimore edhe duhet me i djegë. e di që djegja e librave jau kujton adolf hitlerin, ama mirë e ka pasë umbert eco: librat e këqij duhet me i djegë”, ka shkruar Gashi në Facebook, të hënën.
Kujtojmë se të hënën e 21 gushtit u bë e ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin me libra për nxënësit, anipse mësimi do të fillojë për 10 ditë. /GAZETA ENIGMA/