Toby Cadman dhe Carl Buckley, avokatë të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajt besojnë se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trenda dhe zëvendësi i saj, gjykatësi Cherles Smith po ia mbajnë anën Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe se po e minojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e kësaj gjykate. Kësisoj, ata kanë kërkuar përjashtimin e të dyve.
“Deklaratat e Kryetares Trendafilova në një njoftim konfidencial diplomatik minojnë gjyqësorin e saj të pavarur dhe të paanshëm, vendimmarrjen dhe përfaqësimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe dëmtojnë seriozisht administrimin e drejtësisë para Dhomave të Specializuara ose funksionimin e Dhomave të Specializuara në mënyrën e duhur dhe atë të Kryetares Trendafilova”, thuhet në parashtresë.
Avokatët e nënkryetarit të OVL-së shkruajnë tutje se të drejtat dhe interesat e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit preken ndjeshëm nga prania e kryetares së Gjykatës Speciale, në cilësinë e saj si përfaqësuese si dhe në cilësinë e saj si gjykatëse. Ata besojnë se ka rrezik që kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova të abuzojë me autoritetin e saj duke promovuar dhe favorizuar kauzën e Prokurorisë.
Tutje, aty është kërkuar edhe përjashtimi i nënkryetarit të Gjykatës Speciale, Charles Smith. Për ta mbështetur kërkesën, mbrojtja e Haradinajt ka përdorur, ndër tjerash, edhe deklaratat e ish-kryetarit të kolegjit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons.
“Në bazë të sjelljes paraprake të nënkryetarit Smith në një zyrë të lartë gjyqësore në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (“EULEX”), ai dyshohet për abuzim të demonstruar të autoritetit gjyqësor dhe ushtrim të presionit politik që minon vendimmarrjen e tij gjyqësore dhe e rrezikon seriozisht atë duke dëmtuar administrimin e duhur të drejtësisë para Dhomave të Specializuara ose funksionimin e duhur të brendshëm të Dhomave të Specializuara”, thuhet në këtë kërkesë.
“Mbrojtja mbështetet ndër të tjera në një deklaratë të dëshmitarit të gjykatësit Malcolm Simmons, e cila i është bashkangjitur kësaj kërkese. Për më tepër, më 12 korrik 2021, gjykatësi Simmons paraqiti dëshminë e tij në Kuvendin e Kosovës, në Komisioni për Çështjet Parlamentare dhe Legjislative”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.
Çfarë tha kryetarja e Gjykatës Speciale, sipas avokatëve të Nasim Haradinajt?
Mbrojtja e nënkryetarit të OVL-së, thotë se Ekaterina Trendafilova u ankua për avokatët e të akuzuarve dhe se i ka akuzuar ata për vonesën e procedurave paragjyqësore. Gjithashtu thuhet se ngitjen e çështjes së mospranisë së flamurit të Kosovës në Gjykatën Speciale, Trendafilova e ka cilësuar si provokim ndaj gjykatësit të procedurës paraprake.
“Kryetarja u ankua se [REDAKTUAR] numri i avokatëve po e ndërlikon punën e Dhomave të Specializuara, duke nënkuptuar se mbrojtja është në një farë mënyre përgjegjëse për vonesa në procedurë. Lidhur me një pyetje se pse Dhomat e Specializuara nuk e shfaqin flamurin e Kosovës [REDAKTUAR], ose stemën, Kryetarja e quajti këtë një provë dhe provokim të gjykatësit të procedurës paraprake [REDAKTUAR ]”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.
Tutje, thuhet se kryetarja e Speciales kishte thënë se ka nisur një fushatë e orkestruar shpifëse kundër Dhomave të Specializuar.
Kryetarja e Speciales thuhet se ka marrë pjesë në këtë panel konfidencial duke raportuar së bashku me Prokurorin Special,
“Vihet re se deklaratat e bëra nga Prokurori Special u bënë në prani të Kryetares. Asnjë përpjekje nuk u bë nga Kryetarja për t’u distancuar nga pozicioni i avancuar dhe as nuk u bë një përpjekje nga ajo që të ofrojë ndonjë pikëpamje të kundërt. Më tej, thjesht prania e Kryetares në panel me Prokurorin Special ku u diskutuan rastet në vazhdim krijon një situatë të pamundur për Kryetaren që ta marrë çdo vendim administrativ apo gjyqësor në mënyrë të paanshme. Kështu, Kryetarja, përmes akteve të saj dhe lëshimeve, miratoi pozicionin e Prokurorit Special, dhe si rezultat ka minuar rrënjësisht paanësinë dhe pavarësinë e saj”, thuhet në shkresën e avokatëve të Nasim Haradinajt, raporton Express.
Deklaratat e Trendafilovës cilësohen të pabazuara, të padrejta dhe joetike nga avokatët e Nasim Haradinajt. Ata shkruajnë se kjo nuk duhet të tolerohet.
Si përfundim, dy avokatët Cadman dhe Buckley kanë kërkuar që kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova të përjashtohet për t’i kryer rolet e saj, pasi mendojnë se kjo është në interes të drejtësisë.
“Për arsyet e parashtruara më lart, me respekt paraqitet se është në interesat e drejtësisë që: a Kryetarja të përjashtohet ose skualifikohet për të përmbushur çdo rol gjyqësor, rol administrativ ose menaxhimin e rastit në rastin në fjalë, duke përfshirë – por jo i kufizuar vetëm në këtë – caktimin e gjykatësve në panele ose marrja e vendimeve në lidhje me përjashtimin”, thuhet në kërkesën e avokatëve.