Ndonëse procesi i emërimit të ambasadore të rinj, po vonohet tash e disa ditë, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë gati listën e 14 emrave, që pritet të emërohen në krye të misioneve diplomatike, shkruan Gazeta “Enigma”.
Gazeta “Enigma”, ka mësuar jo zyrtarisht se pesë nga emrat që do të bëhen ambasador, janë njerëz të afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, kurse nëntë prej tyre do të jenë diplomatë karriere.
Ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Ilir Dugolli, është propozuar për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Britani të Madhe pritet që në krye të misionit diplomatik të vendoset ish kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Kapiti.
Po ashtu, siç, mëson “Enigma”, Faruk Ajeti është propozuar ambasador në Gjermani, kurse në Francë pritet të emërohet ambasador Medi Halimi, ish ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Ndërkaq, emri tjetër i propozuar për ambasador është Dren Doli, i cili është profesor në Fakultetin Juridik në UP, e që pritet të jetë shef i misionit diplomatik në Holandë.
LEXO EDHE: 12 ambasada mbetën pa ‘zot shtëpie’, MPJ-ja tejkalon afatet e dhëna
Martin Berishaj, është propozuar ambasador në Kroaci, kurse Ilir Dugolli është propozuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emrat e tjerë të propozuar janë Skender Durmishi në Shqipëri, Sabri Kicmari në Japoni, kurse Albert Prenkaj në Senegal.
Ndërkohë Valdet Sadiku është propozuar për ambasador në Slloveni, kurse Fuad Morina në Emiratet e Bashkuara Arabe.
GJeneza Budima në Hungari, ndërkaq, Albesiana YlberHysaj pritet të bëhet ambasadore në Ceki.
Përpos tyre edhe Ariana Zherka është propozuar për ambasadore në shtetin e Malit të Zi.
Haliti: Vonesat në emërimin e ambasadorëve, shpërfaqin problemet midis Kurtit e Osmanit
Zëvendës kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, njëherëshi deputet në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se vonesat në emërimin e ambasadorëve të rinj, shpërfaq problemet që mund të kenë kryeministri aktual, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ai me këtë rast ka thënë se ambasadorët duhet të jenë ‘shërbëtor’ të qytetarëve kosovar, që banojnë në shtete të ndryshme të botës, dhe jo ‘shërbëtor’ të politikave të caktuara.
“Çështja e ambasadorëve të Kosovës është më shumë cështje e përfaqësimit formal nëpër vende të caktuara, problemet i shkakton politika shtetërore që mund të bëjë Qeveria, çoftë të mira apo të këqija, sepse ambasadorët janë bartës të kontaktit, dhe ‘shërbëtor’ të qytetarëve të Kosovës që kanë nevoja për ta. Vonesa në emërimin e tyre, janë cështje po besoj probleme në mes të koalicionit aktual të qeverisë, apo ndoshta një mos pajtim midis kryeministrit dhe presidentes së kush duhet të përfaqësoj në një shtet të caktuar”, theksoi Haliti për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai shtoi se pavarësisht vonesave të deritanishme në krye të ambasadave ku nuk ka ambasador duhet të vihen njerëz të përzgjedhur që e përfaqësojnë denjësisht vendin.
“Mirë është që sa më shpejt, jo duke u ngutur por duke përzgjedhur cilësinë që e përfaqëson nivelin dhe peshën e ambasadorit që dërgohet në një shtet të rëndësishëm, jo vetëm përfaqësimin partiak, kjo është kryesorja”, shtoi tutje deputeti i PDK-së, Haliti.
Ai po ashtu shtoi se “Ne duhet të ndërtojmë politika të mira shtetërore në raport me qytetarët tanë të cilëve ju shërbehet. Unë nuk jam për tu ngutur ky proces, por për cilësi, për të krijuar politika, dhe për ti dërguar njerëzit në vendet përkatëse me misione dhe detyra të caktuara”.
Çka thotë ligji për përfaqësimin e Kosovës nga misionet diplomatike?
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.
“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.
Ndërkaq, më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht./Gazeta Enigma.