Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka njoftuar se kanë marrë 22 vendime në mbledhjen e Qeverisë.
Ai tha se në prag të Ditës së Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, kanë iniciuar aderimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
Kurti tha se janë ndarë 9 milionë euro me qëllim të tejkalimit të krizës energjetike.
Postimi i plotë:
22 vendime në mbledhjen e 140-të të Qeverisë
Në prag të shënimit të Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovës, iniciuam aderimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
Ndamë 600 mijë euro për financimin e monitorimit elektronik. Një mënyrë efektive e trajtimit të rasteve penale, e në veçanti e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Me qëllim tejkalimin e krizës energjetike ndamë 9 milionë euro.
Për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë ndamë 10 milionë euro.
Në mbështetje të punësimit të personave nga komunitetet jo shumicë ndamë 3 milionë euro.
Për mbështetje të mërgatës, të punësimit të grave dhe likuiditetit familjar ndamë 243 mijë euro.
Aprovuam ndryshimin e publikimit të akteve nënligjore, për të lehtësuar qasjen e personave të verbër në Gazetën Zyrtare.
Emëruam Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Ndamë 15 mijë euro për organizimin e Forumit Ekonomik të Vjenës në Prishtinë.
Miratuam nismën për marrëveshjen plotësuese për “Programin e Ujërave të Zeza të Kosovës II” me vlerë të grantit prej 13.2 milionë euro.
Ndamë 157 mijë euro për projektin me Bankën Botërore për përmirësimin e sistemit të qeverisjes digjitale.