Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e rregullt, e 50-ta me radhë, ka aprovuar dy analiza të akteve nënligjore, gjashtë projektligje, tre strategji, një plan veprimi dhe katër vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.
Vendimi i parë i miratuar në këtë mbledhje jubilare ishte ai mbi Analizën juridike për vlerësimin e bazës ligjore të akteve nënligjore të nxjerra nga ministrat. Analiza konstaton se sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore të rendit kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Rekomandimet e analizës juridike në fjalë, lidhur me shfuqizimin, ndryshimin dhe plotësimin e akteve nënligjore dhe ligjeve me qëllim të krijimit të bazës konkrete ligjore për nxjerrjen e akteve në fjalë, janë në funksion të plotë të sigurimit të sundimit të së drejtës, përmes sigurimit të parimit të ligjshmërisë.
Edhe Analiza juridike për thjeshtëzimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve të dyfishta dhe licencave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, mori miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.
Në vazhdim të mbledhjes, miratimin e qeverisë morën gjashtë projektligje:
1. Projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave i cili rregullon mënyrën e organizimit të procesit të regjistrimit, përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative. Ligji gjithashtu rregullon shtrirjen territoriale të regjistrimit, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tersi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.
2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit i cili ndryshon bazën e llogaritjes së tatimit të akcizës në produktet e duhanit duke përfshirë edhe produkte të reja të duhanit dhe zëvendësuesve të tij sipas njësive matëse përkatëse, rritjen e masave mbikëqyrëse, kontrollet doganore, mbajtjen e evidencave, harmonizimin e dispozitave ndëshkimore si dhe eliminimin e licencave të dyfishta.
3. Projektligji për arkivat shtetërore i cili përcakton rregullat themelore për organizimin, administrimin dhe funksionimin unik të shërbimeve arkivore në Republikën e Kosovës. Projektligji gjithashtu rregullon edhe organizimin e organeve kompetente për krijimin, pranimin, ruajtjen, mbrojtjen, sistematizimin/përpunimin dhe shfrytëzimin e materialit arkivor.
4. Projektligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që ka për qëllim përcaktimin e misionit, organizimit, autorizimeve dhe detyrave të kësaj strukture ushtarake. Projektligji përcakton edhe fushën e veprimit të Policisë Ushtarake ndaj personelit civil dhe ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe përcakton edhe juridiksionin e kësaj policie në territorin e Republikës së Kosovës dhe në situatat kur ajo dërgohet në misione jashtë vendit për të mbështetur Forcat e Sigurisë së Kosovës.
5. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kimikate që rregullon funksionimin e tregut të brendshëm, rregullave për vënien në dispozicion në treg dhe përdorimit të kemikateve duke siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tokën bujqësore që do të harmonizojë dispozitat e këtij Ligji me Ligjin për kundërvajtje.
Miratimin e Qeverisë në mbledhje e ka marr edhe Rregullorja për emergjencat dhe monitorimin radiologjik. Qëllimi i hartimit të kësaj Projekt-rregullore është të vendosë kërkesat për emergjencat radiologjike, situatën e ekspozimit ekzistues, burimet jetime, ndotjen e metaleve, programin kombëtar të monitorimit radiologjik të mjedisit, ekspozimin ndaj radonit në mjedise të mbyllura, rrezatimin gama nga materialet ndërtimore dhe planin e veprimit për radonin.
Rregullorja trajton kërkesat për mbrojtjen e shëndetit të publikut, në lidhje me: lëndët radioaktive në ujin që planifikohet për konsum njerëzor, vlerat parametrike, metodat, llojet e matjeve, shpeshtësinë dhe shtrirjen e monitorimit të lëndëve radioaktive në ujin e pijshëm, përgatitjen e programit të monitorimit të radioaktivitetit në ujin e pijshëm dhe mënyrën e informimit të rregullt të publikut për rezultatet e këtij monitorimi.
Më tej në mbledhjen e së enjtes të Qeverisë janë miratuar këto tre strategji :
1. Strategjia Shtetërore për parandalim, menaxhim dhe kontrollim të pandemisë COVID-19 e cila identifikon objektivin strategjik për “Parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e Pandemisë COVID-19” si dhe tri objektiva specifike:
1. Fuqizimi i kapaciteteve për parandalimin të COVID-19; 2. Fuqizimi i kapaciteteve për menaxhimin e COVID-19; dhe 3. Fuqizimin e kapaciteteve të kontrollimit të COVID-19. Qeveria ka prioritizuar sigurimin e vaksinave për luftim të pandemisë përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të aleancës Covax.
2. Strategjia për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028, e cila ka për qëllim të adresojë çështjet e zhvillimit të bujqësisë dhe pjesëmarrjen në bruto prodhimin vendor si dhe potencialin e lartë të saj për të gjeneruar të ardhura dhe vende të reja të punës.
Strategjia identifikon katër objektiva:
1. Rritja e konkurrencës së sektorit agro-ushqimorë dhe përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së produktit të fermës; 2. Menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore; 3. Mbështetje për bizneset në zonat rurale, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e infrastrukturës sociale; dhe 4. Reforma gjithëpërfshirëse institucionale dhe sektoriale për të krijuar shërbime publike efikase, me theks të veçantë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
3. Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030, e cila synon adresimin e çështjeve të zhvillimit të sektorit të pylltarisë dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, mbrojtjen e tyre dhe ngritjen e kapaciteteve për ofrim të shërbimeve efikase për pyjet publike dhe pronarët e pyjeve private.
Për këtë janë identifikuar pesë objektiva: 1.Përmirësimi i resurseve pyjore; 2. Mbrojtja e resurseve pyjore; 3. Përdorimi i qëndrueshëm dhe shumë funksional të resurseve pyjore; 4. Zhvillimin e kapaciteteve të sektorit të pylltarisë; dhe 5. Përmirësimin e bashkërendimit dhe komunikimit.
Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhje edhe Planin e reagimit për menaxhimin e fluksit të mundshëm të emigrantëve, refugjatëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare. Qëllimi i këtij plani është menaxhimi i fluksit të emigranteve, refugjatëve dhe aplikuesve, duke definuar veprimet përgatitore dhe të reagimit nga institucionet e Republikës së Kosovës. Plani përcakton autoritetet kompetente, përgjegjësitë e tyre në rast të fluksit dhe masat që duhet të ndërmerren dhe resurset e nevojshme për zbatimin e këtij plani.
Plani parasheh disa skenarë të mundshëm dhe masat e reagimit për secilin skenar, duke përfshirë afatet kohore. Parimet e planit janë mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, parimi i moskthimit, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, ruajtjen e rendit, qetësisë, shëndetit publik, ruajtja e sigurisë kombëtare dhe përgjigja kolektive ndaj fenomenit me solidaritet.
Është emëruar Komisioni i ankesave për të huaj, i cili do të shërbejë për një mandat trevjeçar. Komisioni ka shtatë anëtarë dhe është i pavarur në punën e tij dhe merr vendimet edhe në panele me pjesëmarrje të tre anëtarëve. Përfaqësuesi i UNCHR-s mund të marrë pjesë në punën e Komisionit në cilësinë e vëzhguesit. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme është në rolin sekretariatit të komisionit dhe siguron mbështetjen teknike për kryerjen e punës së këtij komisioni.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është ndaluar ekzekutimi i vendimit Nr.827-1/2021 i Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente. Me datë 08.12.2021, me anë të një shkrese, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i është drejtuar Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë me kërkesën që të shqyrtohet ligjshmëria e vendimit Nr.827-1/2021 të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, duke e cilësuar si vendim të jashtëligjshëm.
Vendimi i Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës kishte të bënte me mos caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në kërkesën eventuale nga Gjykata Themelore në Pejë në çështjen penale ndaj të akuzuarit SH.G. Kjo për arsyen se avokatit në këtë rast i është shqiptuar masa e përjashtimit dhe gjoba me mjete financiare. Sipas shkresës nga Këshilli Gjyqësor, vendimi për përjashtim të avokatit është paapelueshëm me ankesë të veçantë.
Po ashtu është miratuar edhe vendimi preliminar i shpronësimeve për interes publik i pronave të paluajtshme, ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës për ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren dhe renovimin dhe ndërtimin e ish-objektit të “Jugobanka” në Mitrovicë për nevojat e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë është bërë ndryshimi i vendimit për themelimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID 19, duke emëruar si anëtarë dhe kryesues të këtij Komiteti Dr.Rifat Latifin në vend të znj.Dafina Gexha-Bunjaku.
Ndërsa me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve janë aprovuar pesë vendime të ndryshme:
1. Vendimi për rikthimin e mjeteve te paalokuara dhe të pashpenzuara të “Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike” në vlerë prej 21,770,000 euro, në kategorinë ekonomike subvencione dhe transfere.
2.Vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 14,110,000 euro në zbatim te vendimit të Qeverisë nr.13/19 të datës 14.07.2021 sipas detajeve në vijim:
· Për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndahet shuma prej 2,500,000 € në kuadër të Masës 2.5 – Ringjallja e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit;
· Për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, ndahet shuma prej 4,500,000 € në kuadër të Masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale – kjo shumë do të ndahet për pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë;
· Për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndahet shuma prej 4,110,000 € në kuadër të Masës 4.2 – Mbështetja për Arsimin – për mbulimi e obligimeve sa i përket librave në shkollat fillore;
· Për Fondin për Sigurime Shëndetësore, ndahet shuma prej 3,000,000 € në kuadër të Masës 4.1 – Mbështetja për Shëndetësinë. Kjo shumë dedikohet për të mbuluar obligimet që janë në kuadër të fondit për trajtim jashtë institucioneve publike.
3. Vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore. Kursimet janë në shumë prej 19,060,303.02 € dhe e njëjta vlerë është ndarë për të siguruar pagesën e pensioneve për muajin dhjetor, si dhe shlyerjen e obligimeve financiare të trashëguara nëpër organizata të buxhetore të ndryshme.
4. Vendimi për aprovimin e kërkesës së Komunës së Prizrenit per shlyerjen e obligimeve të ndërmarrjes KosovaTrans ndaj Administratës Tatimore të Kosovës; dhe
5. Vendimi për aprovimin e kërkesës së KOSTT për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë likuditetin e nevojshëm për të vazhduar operimet pa pengesa.
Në fund me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë ndarë mjete në vlerë 86,243.52 €, për pagesën e obligimeve ndaj mësimdhënësve të cilat kanë punuar për përgatitjen e materialeve për zhvillimin dhe xhirimin e mësimit për organizimin e mësimit online në kohë pandemie./Gazeta “Enigma”/