Asnjë nga dronët Baraktar TB-2 nuk do të mund të ngrihet mbi qiellin e Kosovës pa lejen e KFOR-it. FSK-ja ka hasur në vështirësi edhe për testimin e tyre. Shumica e dronëve kanë mbetur në magazinë. Vetëm një është testuar.
Vetëm njëri nga disa dronët Bayraktar TB-2 të cilët Kosova i bleu nga Turqia është lejuar të testohet mbi qiellin e Kosovës.
KFOR-i, i cili ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, ka refuzuar dy kërkesa të njëpasnjëshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) për testimin e dronëve në muajin qershor.
Testimin ishte paraparë ta realizonin dy teknikë ushtarakë turq, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Turqisë.
Refuzimi ka ndodhur më 11 qershor dhe 13 qershor të 2023-s, raporton Paparaci bazuar në burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
Arsyeja e refuzimit, siç merr vesh mediumi, ishte se teknikët nga Turqia nuk e kishin prezantuar planin e detajuar të aktivitetit te komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia.
Megjithatë, tri ditë pas refuzimit të dytë, më 16 qershor, KFOR-i aprovoi kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për testimin e vetëm një droni Bayraktar TB-2. Dronët e tjerë kanë mbetur në magazinë. Të patestuar.
Autorizimi i lëshuar nga KFOR-i parashihte kushtin që droni Bayraktar TB-2 të ngrihej deri në 500 metra lartësi dhe mos t’i kalojë kufijtë e bazës së FSK-së në Gjakovë, e cila njihet edhe si bazë ajrore.
Katër ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë. Por, KFOR-i ka thënë të dielën se hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”