“Kiana Kryeziu shkruan historinë, Tahiri arrin kohën më të mirë personale në lojërat dimërore”

“Kiana Kryeziu shkruan historinë, Tahiri arrin kohën më të mirë personale në lojërat dimërore”

Kiana Kryeziu ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërorë Pekin 2022 të hënën herët në mëngjes, duke u bërë gruaja e parë që e përfaqëson Kosovën në lojëra dimërore.

Ndërkohë, Albin Tahiri, e ka arritur kohën më të mirë personale në garën e tij të zhvilluar sot po ashtu.

Kryeziu dhe Tahiri janë dy atletët e vetëm që po e përfaqësojnë Kosovën në Pekin 2022, të dy në garat me ski.

Kryeziu, 17 vjeçe – e cila u bë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore – garoi në sllallom të madh.

Ajo e zuri vendin e 59-të nga 82 garuese, me kohën 1 minutë e 18.78 sekonda. Gjithashtu, Kryeziu do të garojë në garën e dytë të sllallomit të madh sot më vonë.

Ndërkohë, Tahiri – cili bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut – garoi në lëshim alpin, duke regjistruar kohë rekorde personale në lojërat dimërore.

Ai u rendit i 35-ti nga 43 garues, e cila është renditja e tij më e mirë në Lojërat Olimpike Dimërore. Tahiri pati kohën 1 minutë e 52.44 sekonda.

Albini do të garojë edhe në disiplinat e kombinimit alpin, sllallomit dhe sllallomit të madh ditët në vijim.

Related Articles