Kjo javë shihet si afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.
Presidetja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për RTV21 pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së theksoi se kjo është një javë e rëndësishme, por jo që t’i vihet pika çdo gjëje.
“Natyrisht që është javë e rëndësishme por nuk do të thoja që është javë ku i vihet pika gjithçkaje. Kosova është e përkushtuar që të punojë me partnerët që të gjejmë zgjidhje përpara në mënyrë që marrëveshja e 27 shkurtit, marrëveshja e Brukselit dhe njëkohësisht aneksi i Ohrit i 18 marsit të zbatohen në plotëni, të zbatohen pa kushte dhe të mos ketë vetëm pjesë të caktuar të cilat kërkohen të zbatohen kurse Serbia të ikë nga obligimet e saj. Balancimi dhe vetëzbatimi i drejt dhe i balancuar i marrëveshjes është kyq”, tha Osmani
Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që hapat përpara të bëhën në koordinim me aleatët.
Osmani pas mbledhjes së Këshillit të OKB-së, tha se Serbia e shfrytëzoi mbledhjen për propagandë dhe se numri i gënjeshtrave të prezantuara nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tejkalon çdo kufi.
“Numri i gënjeshtrave të prezantuara nga Ana Bërnabiq sot tejkalon çdo kufi. Ne i kemi derguar dhe vazhdojmë t’i dërgojmë shteteve anëtare informata të drejtpërdrejta rreth rasteve konkrete që ajo i përmente që në fakt nuk janë fare ashtu siç ka ndodhur. Por, është më rëndësi që të gjithë ta kuptojnë se po flasim për një qeveri që udhëhiqet nga një ministër propagande i Millosheviqit. Kjo është gjeja që e bëjnë më së mirë. Për fat të keq ajo çfarë bën Serbia në praktikë është dhuna dhe këtë e ka dëshmuar me 24 shtator”, tha ajo