Veteranët e UÇK-së kanë protestuar sot para Kuvendit për pensione.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Ky këshill ka ftuar institucionet e Kosovës të tregojnë, siç shprehen, më shumë respekt për veteranët e luftës dhe të mos i shpërfillin duke diskrimunar përmes përjashtimit nga Ligji për pagën minimale
Në një reagim dërguar mediave, KMDLNj, thotë se Policia e Kosovës përdori dy herë gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë veteranët e UÇK-së.
“Sot, më 6 qershor 2022 një numër i konsiderueshëm i veteranëve të UÇK-së protestoi para Kuvendit të Kosovës me kërkesë që deputetët e Kuvendit të Kosovës të përfshijnë edhe veteranët e luftës në ligjin për pagën minimale që e ka propozuar Qeveria e Kosovës. Mbledhja e Kuvendit të Kosovës ishte paraparë të filloi në ora 11.00 kurse protesta e veteranëve filloi në ora 10.00 dhe po zgjatë ende”.
“Gjatë kësaj proteste që është monitoruar nga KMDLNj –ë, deri më tani Policia e Kosovës përdori dy herë gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë veteranët e UÇK-së që thirrnin të hyjnë në sallën e Kuvendit të Kosovës. Rreth Kuvendit të Kosovës dhe në hyrje ishte një numër i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë sikur edhe një top me ujë për shpërndarje të protestave dhe automjete të parapara për kontrollim, menaxhim dhe shpërndarje të protestuesve”.
“KMDLNj –ë që në fillim është deklaruar se numri i veteranëve të luftës është i rritur përtej realitetit prandaj ka kërkuar që kjo listë të përmirësohet dhe ata që vërtetë kanë qenë veteranë dhe të cilët e fitojnë këtë status, duhet të kompensohen me një pagë të dinjitetshme që iu siguron një mbijetesë dhe jetesë në përputhje me nevojat dhe aktualitetin ekonomik”.
“KMDLNj –ë përkrahë çdo protestë paqësore, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe në këtë kontekst e përkrahë edhe protestën e veteran[ve të luftës e cila është imponuar për shkak të shpërfilljes së skajshme që ia bëjnë institucionet aktuale të Kosovës. KMDLNj –ë vlerëson se Kryesia e Kuvendit dhe vet kryetari i Kuvendit është dashur ta pranojnë një grup pëprfaqësues të veteranëve të luftës, të dëgjojnë propozimet e tyre dhe të shmangin konfrontimin e veteranëve të luftës me Policinë e Kosovës e që është krejtësisht e panevojshme”.
“KMDLNj –ë nuk sheh asgjë të keqe nëse një grup përfaqësues i veteranëve të luftës të merr pjesë edhe në seancën e sotme të Kuvendit e që do të ishte si gjest i vullnetit të mirë të institucioneve për tejkalimin e situatës së krijuar që pashmangshëm, nëse nuk zgjidhet do të përshkallëzohet në të ardhmën. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe bartësit e posteve institucionale shtetërore duhet ta kenë të qartë se pa kontributin e këtyre veteranëve, as ata nuk do të ishin në postin dhe vendin ku janë”.
“KMDLNj –ë e përkrahë protestën e arsyeshme dhe të drejtë të veteranëve të UÇK-së duke ftuar palët që të ulen dhe përmes bisedimeve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë në mënyrë që të mënjanohet përshkallëzimi i situatës sikur që ndodhi sot. KMDLNj –ë thërret palët për qetësi duke përkrahur çdo protestë, deri në çastin kur është protestë paqësore ndërsa nuk përkrahë asnjë përshkallëzim të situatës pavarësisht nga cila palë vjenë”.
“KMDLNj –ë ftonë institucionet e Kosovës të tregojnë më shumë respekt për veteranët e luftës dhe të mos i shpërfillin duke diskrimunar përmes përjashtimit nga Ligji për pagën minimale. Në të njëjtën mënyrë po sillen edhe me pensionistët kontributpagues të periudhës para luftës së fundit ndaj të cilëve po bëhet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në kundërshtim me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. KMDLNj –ë përkujton opinionin dhe politikbërësit se edhe paga minimale e propuar nga Qeveria e Kosovës ( 264 euro ), më shumë paraqet fyerje për veteranët e UÇK-së se sa që është një vlerësim e lëre më shpagim për kontributin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë”.