Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut për lëvizjen e lirë të qytetarëve pas vendosjes së reciprocitetit nga Kosova për targat e veturave serbe.
Përmes një postimi në Twitter, Varhelyi tha se veprimet e njëanshme prodhojnë vetëm tension.
“Serbia dhe Kosova. Është e domosdoshme që të përmbahuni dhe të ulni tensionet, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni lirinë e lëvizjes pa u vonuar. Veprimet e njëanshme nuk janë kurrë zgjidhje. Ata çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të ndalen”.
Kosova të hënën mori vendim që të gjitha veturat që hyjnë në Kosovë nga Serbia duhet t’i heqin ose fshehin targat dhe të vendosin të tjera të përkohshme prej letre që vlejnë dy muaj dhe kushtojnë pesë euro.
Serbia e ka aplikuar këtë për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.
Kurti ka deklaruar se marrja e këtij vendimi ishte imponim nga pala tjetër dhe jo dëshirë e Qeverisë së Kosovës. Derisa në takimin që pati më ambasadorët e QUINT-it për këtë çështje, Kurti iu kishte thënë se për këtë vendim ose të dyja, Kosova dhe Serbia, e kanë me të drejtë, ose të dyja gabim.