Komunat kërkojnë nga Kuvendi miratimin e kërkesës për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

Komunat kërkojnë nga Kuvendi miratimin e kërkesës për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

Në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës ka kaluar Projekt Ligji për plotësim ndryshimin e  Tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Por një proces i tillë ende s’është proceduar në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

E për këtë Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të mundësojnë faljen e nga 100 eurove të tatimit në pronë për qytetarët, duke i rimbursuar ato mjete tek Komunat nga niveli qendror.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Gazeta Enigma ka njoftuar se tashmë kanë dërguar kërkesën e tyre me shkrim në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që kjo falje e borxhit të tatimit në pronë të jetësohet.

“Ne si Asociacion i Komunave, sot e kemi dërguar kërkesën nga niveli qëndror, në parlamentin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar që kjo falje të kompenzohet nga niveli qëndror, përkatësisht nga Ministria e Financave, pasi ata kanë marrë një vendim të tillë. Ne po presim pas leximit të parë, të ftohemi nga Komisionet përkatëse, në mënyrë që ti paraqesim të gjitha argumentet me të cilat kalkulojmë që Komunat dëmtohen me miliona euro”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se në plotësim-ndryshimin e ligjit për tatimin në prone, niveli qëndror nuk është konsultuar me Komunat. “Ky vendim ka kaluar Qeverinë pa asnjë konsultim me hisetarët e Komunave, prandaj ne sot e kemi dërguar kërkesën tonë në Parlament, duke shpresuar se nuk do të sillet njësoj si Qeveria, e do të ketë konsulta me komunat e Kosovës, dhe pastaj po besojmë që do të kemi përkrahje që Komunat të rimbursohen”, ka shtuar ai.

Ai tha se pa votuar Kuvendi i Kosovës, një gjë e tillë s’mund të jetësohet për qytetarët.

“Edhe nëse ndonjë komunë e ka votu, ajo nuk ka bazë ligjore. Ende nuk mund të bëhet falja e tatimit në prone prej 100 euro, sepse nuk ka bazë ligjore të merret një vendim i tillë nga komunat. Për këtë arsye është duke u pritur nga niveli qendror të marr një vendim të tillë, sepse falja e çdo borxhi duhet të mirret nga niveli qendror e jo ai komunal”, sqaroi ai.

E nëse ky projektligj kalon, sipas Ibrahimit do të kishte një impakt në buxhetin e komunave.

“Do të ketë impakt në buxhetet e Komunave, e sidomos në ato të vogla. Të gjitha të hyrat nga tatimi në pronë, me ligjet në fuqi, përkthehen në projekte kapitale, në shumicën e këtyre projekteve, bëhen mjetet me të cilat komunat bëjnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Pra, të hyrat nga tatimi në prone, komunat bëjnë investime, si në rrugë, kanalizime, etj. Me një vendim të tillë, komunat do të  dëmtohen në buxhetet e tyre me rreth 4 milionë euro, pra 40%. Nëse mirret një vendim I tillë, nuk do të ketë investime kapitale nga komunat, pasi limitet buxhetore vijnë nga niveli qendror”, theksoi tutje ai.

Ai thotë se AKK-ja ka llogaritur dëmet buxhetore me të cilat do të ballafaqohen komunat, e që në ato të mëdha janë në vlerë milionëshe.

“Nëse merret vendimi, pa rimbursim në buxhetin e Komunave, atëherë, Komuna e Prishtinës parashihet të dëmtohet me 6.8 milionë euro, Komuna e Pejës me 1.8 milionë euro, Ferizaji e Gjilani me mbi 1 milion euro, e kështu me radhë. Komunat e vogla të Kosovës, do të dëmtohen shumë, pasi ato nuk kanë të hyra vetanake. Nëse shkurtohen këto 100 euro, atëherë cfarë mjete do të mbledhin ato?”, potencoi kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Sipas tij, duke pasur parasysh se Ministria e Financave, nuk i ka harxhuar as 2% të mjeteve për investime kapitale në komuna, atëherë thesari shtetëror ka kapacitete buxhetore që ti përkrahin komunat në mbulimin e faljes së 100 euroshit në tatimin në pronë.

Komuna e Gjilanit, e Pejës dhe disa komuna tjera tashmë kanë miratuar në kuvendet e tyre Komunale faljen e borxhit prej 100 euro nga tatimi në pronë për gjithë qytetarët./ GAZETA ENIGMA.

Related Articles