Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e sheh më si prioritet çështjen e dialogut me Serbinë. Kjo pasi, sipas tij, sulmi terrorist i Serbisë nga Kosovës ka vënë në pikëpyetje sigurinë.
Nga Gjermania, ku po qëndron për vizitë, Konjufca theksoi se aktualisht primare është çështja e sigurisë, dhe se Policia e Kosovës po mendon për këtë e jo domosdosshmërisht për Asociacionin, si obligim të dialogut.
“Tash procesi politik është në rend të tretë, në rend të parë është çështja e sigurisë së Kosovës. Unë mendoj që sot Policia e Kosovës nuk është duke menduar për Asociacionin, është duke menduar se si ta shmang një sulm të ardhshëm nga shteti serb që mund të vij”, u shpreh Konjufca në RTK.
Tutje, ai ka pasur kritika edhe për ndërmjetësit e BE-së në Dialog, për të cilët tha se “i japën zemër” Serbisë.
“Rezultati indirekt i kësaj qasje ka qenë trimërimi i Serbisë, inkurajimi i Serbisë, që duke e pa Kosovës të dënuar, duke e pa Kosovën duke ia heq mbështetjen ndërkombëtare, të provojë Serbia ndonjë këso sulmi, në mos është rasti për aneksimin e Kosovës”, tha Konjufca.
Sulmin terrorist serb në Banjskë, kryekuvendari Konjufca e ka diskutuar të martën edhe me deputetët e Bundestagut gjerman.
Gjatë vizitës atje, ai ka takuar anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes, kryesuar nga Marie-Agnes Strack-Zimmermann.
Konjufca ka thënë se anëtarët e këtij komisioni i informoi mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.