Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit u bë e ditur se gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli.
“Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Gjatë ditës ambasadori Orav, ka takuar edhe kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.