Konsullata e Kosovës: Nuk ka kosovarë të konfirmuar mes viktimave në aksidentin në Riedlingen

Konsullata e Kosovës: Nuk ka kosovarë të konfirmuar mes viktimave në aksidentin në Riedlingen

Konsullata e Kosovës në Stuttgart të hënën ka konfirmuar se nuk ka informacione zyrtare që ndonjë shtetas i Kosovës të jetë mes viktimave apo të lënduarve në aksidentin e rëndë hekurudhor që ndodhi të dielën në afërsi të qytetit Riedlingen, në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë, raporton Gazeta Enigma.

Konsullata bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të verifikuar situatën pas daljes nga shinat të një treni rajonal me rreth 100 pasagjerë, si pasojë e një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm.

“Aktualisht nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve, por jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse,” thuhet në njoftim.

Konsullata u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në rajon të kontaktojnë për çdo nevojë apo informacion shtesë në numrin emergjent: +49 152 37337814.

Aksidenti ndodhi pas një stuhie të fuqishme që goditi rajonin, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Sipas policisë gjermane, rrëshqitja e dheut në zonën e argjinaturës pranë shinave është shkaku i mundshëm i daljes nga shinat të trenit. Të paktën 41 persona janë raportuar të plagosur, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të incidentit janë në vazhdim.

Related Articles