Kosova për një të burgosur shpenzon 26 euro në ditë, duke mbuluar të gjitha shërbimet e nevojshme, kështu ka thënë në një intervistë, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.
Tutje, Gashi tha se femrave dhe të miturve në qendrën korrektuese u mundësohet shkollimi dhe punësimi, duke theksuar se mbas studimeve mund të pajisen me diploma.
“Përafërsisht Kosova për një të burgosur shpenzon 26 euro në ditë ku përmes asaj shume mundohemi ti përmbushim të gjitha obligimet rreth ushqimit, higjienës, akomodimit, ngrohjes. Për gratë dhe fëmijët ka trajtim të veçantë edhe fokusi ynë është asi soji të trajtohen. Ne kemi Qendrën korrektuese për femra dhe qendrën korrektuese për të mitur dhe të moshës madhore ku mundohemi t’ua përmbushim të gjitha kërkesat të cilat i kanë”.
“Përveç që jemi përgjegjës për sigurinë e tyre angazhohemi që personat e privuar nga liria të miturve t’iu mundësojmë shkollimin sepse kemi dy paralele në Lipjan dhe Dubravë dhe të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret dhe ofrojnë dokumentacion fillojnë procesin mësimor. Kemi aktivitete sa i përket programeve rehabilituese, aktivitete që lidhen me punësimin dhe i pajisim me diploma të burgosurit”.
Ai e pranon se në burgje ka kontrabandë, ku shpeshherë gjenden mjete të mprehta, telefona madje edhe drogë. Sipas tij, qëllimi kryesor është t’i minimizojmë të gjitha këto dukuri devijante.
“Është e vërtetë që ka kontrabandë në burgje, por nuk është e theksuar. Përmes përgjegjësve për siguri në qendrat korrektuese dhe qendrat të paraburgimit vazhdimisht bëhen bastisje dhe në të shumtën e rasteve bastisja ka sukses, ku kapen telefona, adapter dhe mjete të mprehta dhe ndodh të gjendet edhe sasi të vogla të drogës. Kështu që përkundër angazhimeve janë evidente sepse personat që vuajmë nga droga ata e gjejnë mënyrën të arrijnë deri aty. Por qëllimi ynë është t’i minimizojmë të gjitha këto dukuri devijante që për fat të keq janë në shoqëri dhe po barten në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, tha ai.
Gashi theksoi se janë në procedurë të rekrutimit për 50 veta, ku nevojat më të theksuara janë për Qendrën Korrektuese të Dubravës, Burgun e Sigurisë së lartë dhe Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Megjithatë, ai shtoi se pret që gjatë vitit 2022 të aprovohet legjislacioni nga Parlamenti i Kosovës me dy ligje, atë për sanksione penale dhe Ligjin për Shërimin Korrektues të Kosovës.
“Stafi na është vjetruar dhe është problem ta kryejnë punën sa i përket çështjes së sigurisë dhe të burgosurve. Tani jemi në procedurë të rekrutimit për 50 veta staf korrektues ku nevojat më të theksuara janë për Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe Burgun e Sigurisë së lartë dhe Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Buxheti nuk është i mjaftueshëm sepse kemi identifikuar buxhet shtesë 3 milionë e 8 mijë euro për të cilat presim për vitin 2022”.
“Mund të ndodhë që këtë pjesë të buxhetit të mos na e lejojnë dhe në këtë rast mund të hasim në vështirësi. Kemi bashkëpunim edhe me donator të cilët na ofrojnë pajisje të sigurisë. Do të ketë përmasimi në aspektin e sigurisë dhe trajtimin e të burgosurve dhe të miturve. Gjatë vitit të ardhshëm do të kemi të aprovuar legjislacionin nga Parlamenti i Kosovës sepse kemi dy ligje në proces si Ligji për sanksione penale dhe Ligji për Shërimin Korrektues të Kosovës”. / Gazeta Enigma.