Kontratat kolektive shkaktojnë “ngërç” financiar në disa komuna – Faji “jetim”?  

Kontratat kolektive shkaktojnë “ngërç” financiar në disa komuna – Faji “jetim”?  

Kontratat kolektive po vazhdojnë të krijojnë sfida të mëdha financiare në disa komuna në Kosovë, duke pamundësuar kështu funksionimin e rregullt të institucioneve komunale, shkruan Gazeta Enigma.

Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit – nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit.

Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit.

Në muajin shtator, një situatë “problematike” financiare u evidentua në Komunën e Vitisë, ku mësimdhënësit nuk arritën të merrnin pagat për shkak të mungesës së buxhetit, ndërsa pagat u ekzekutuan vetëm për një pjesë të punonjësve. Kjo situatë shkaktoi reagime dhe paralajmërime për greva nga ana e mësimdhënësve, duke nxitur Ministrinë e Financave të ndërhyjë për të zgjidhur përkohësisht problemin.

Një situatë e ngjashme ndodhi së fundmi edhe në Komunën e Suharekës, ku Qeveria e Kosovës vendosi të bllokojë xhirollogarinë e komunës për shkak të detyrimeve që rezultuan nga kontrata kolektive.

E për këtë ‘ngërç’ s’qëndroi i heshtur, Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Ai në një postim në Facebook e cilësoi këtë situatë si shqetësuese dhe kërkoi ndërhyrjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se bllokimi i fondeve ndikon drejtpërdrejt në financimin e projekteve të komunës.

“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, deri sa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore”, theksoi të hënën ai.

E deri te ky bllokim, sipas tij ka ardhur ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. “Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive”.

“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna. Për këtë situatë, duhet të veproj urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë”, ka shkruar Muharremi në rrjetin social Facebook.

Pas kësaj, Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se bllokimi i llogarive nuk bëhet nga qeveria, por nga përmbaruesit dhe vendimet gjyqësore të prera.

“Dezinformatat nuk kalojnë. Kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen. Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave”.

“Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, shkroi Murati.

AKK-ja e hedh përgjegjësinë tek Qeveria

Kryetari i Asociacioni të Komunave, Sazan Ibrahimi, tha për Gazetën Enigma se Thesari i Shtetit ka pasivizuar xhirollogaritë, si në rastin e Komunës së Vitisë dhe të Suharekës.

“Xhirollogaritë e Komunave të Republikës së Kosovës pasivizohen nga Thesari i Shtetit. Thesari dje ka dërguar e-mail tek Komuna e Suharekës ku thotë që nga sot, xhirollogaria juaj bankare është pasivizuar”, ka sqaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tha se kontratat kolektive janë nënshkruar nga ekzekutivi, dhe jo nga Komunat, teksa tha se Ministri Murati po i ekzekuton pagesat, për një marrëveshje, të cilën ai vet e sheh si të paligjshme.

“Në bazë të kontratës kolektive, mësimdhënësit janë duke i fituar rastet, por problem qëndron që kontratat kolektive nuk janë nënshkruar nga Komunat, por janë nënshkruar nga niveli qendror me sindikatat përkatëse. Pastaj, vendimet gjyqësore po shkojnë të përmbaruesi, përmbaruesi po i dërgon në Thesar, dhe Thesari po i ekzekuton. Edhe pse ministri Murati ka deklaruar që këto kontrata nuk janë të ligjshme, ai po i ekzekuton. Në vend se ministri t’I shikoj këto lëndë se a janë të ligjshme apo jo te institucionet përkatëse. Nëse janë të paligjshme, atëherë si ka të drejtë që ai ti ekzekutoj këto vendime”, shtoi ai.

Sipas Ibrahimit, vetëm Qeveria mund ta zgjidhë këtë problem, dhe nëse nuk zgjidhet, Komunat do të pësojnë.

“Problemi kontratës kolektive mund të zgjidhet vetëm me vullnetin e pushtetit qëndror. Nëse nuk bëhet një zgjidhje, atëherë komunat do të pësojnë edhe në vitet në vijim. Shumë investime kapitale do të ndalohen, por edhe shumë të mira që qytetari i merr përmes subvencioneve dhe kategorive tjera”, tha ai.

Tutje, ai bëri me dije se kanë dërguar kërkesë në Kuvendin e Kosovës, , të parashohin një vijë buxhetore për mbulimin e Kostos nga kontrata kolektive.

“Ne si Asociacion, e kemi dërgu një kërkesë në Kuvend, ku kemi kërkuar nga deputetët që gjatë shqyrtimi të buxhetit për vitin 2026, të parashohin një vijë buxhetore për mbulimin e Kostos nga kontrata kolektive , dhe kjo barrë duhet patjetër ti takoj nivelit qëndror, sepse ata janë nënshkrues të kontratave kolektive, e jo komunat”, përfundoi ai.

Ndërkohë Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të martën, ka deklaruar se ankesat që janë bërë në lidhje me bllokimin e llogarive shkaku i kontratës kolektive janë në adresë të gabuar dhe se po përdoren për sulme politike ndaj Qeverisë.

“Konsideroj që ankesat janë edhe në adresë të gabuar e madje po ka tendencë që të shfrytëzohen edhe për sulme politike ndaj Qeverisë, kemi parë eksponentë nga Asociacioni i Komunave, por edhe nga niveli komunal që të tentohet bartja e fajit. Qeveria nuk bllokon llogari. Bllokimet bëhen nga përmbaruesit dhe nga urdhrat e formës së prerë të gjykatave, për pagimin e obligimeve të prapambetura. Kjo Qeveri, nuk ua ka bartë komunave këtë obligim. Për gjitha politikat ekonomike në komuna, kemi shtuar edhe buxhetin përkatës. Gjatë mandatit tonë qeverisës, ne i kemi shtuar komunave buxhet për më shumë se 200 milionë euro”, tha Murati.

Tutje, ai tregoi se në Qeverinë e kujt është bërë kjo marrëveshje, e cila i ka shkaktuar komunave dëm në mbi 100 milionë euro.

“Nënshkruesi i kontratës kolektive, ka qenë bashkë partiaku i kryetarit që u ankua dje se Qeveria po ia bllokon komunës llogaritë bankare. Këtë e ka bërë Ramë Likaj, ministër në Qeverinë e PAN-it, që ka nënshkruar kontratë   kolektive, shkelje ligjore pa mbulesë buxhetore, dhe i ka futur në obligim komunat, duke i shkaktuar dëm në mbi 100 milionë euro, dhe ende nuk kemi llogaridhënie mbi këtë çështje”, shtoi ai.

Murati tregoi për zgjidhjen që u ka ofruar rreth këtij problemi, por që asnjë komunë nuk e ka nënshkruar këtë mundësi

“Në projektimin e buxhetit, ne i kemi njoftuar komunat që po e shtojmë një kolonë, të quajtur – rezervë – ku mund të bëjnë buxhetimin e obligimeve që i kanë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.   Këtë vit, nuk e ka nënshkruar asnjë komunë këtë mundësi, që e kemi ofruar si Ministri e Financave”, tha ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles