Kosova e Serbia përplasen pas kthimit të Kurtit e Vuçiqit nëpër shtëpi

Kosova e Serbia përplasen pas kthimit të Kurtit e Vuçiqit nëpër shtëpi

Pothuajse pas secilit takim të “nivelit të lartë”, në Bruksel ku Kosova e Serbia përfaqësohen nga Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq, shfaqen telashe të reja. “Mollë sherri” ndërmjet palëve kësaj here u bënë mospajtimet për Asociacionin dhe Ekipin Menaxhues, që e prezantoi një draft -statut në favor të Serbisë. BE’ja me qëndrim kësaj here ishte në anën e Serbisë, ndërsa Kosova reagoi duke ia numëruar shkeljet Beogradit.



Takimi i fundit në Bruksel, ku Kurti e Vuçiq u dakorduan rreth deklaratës për personat e zhdukur, ka prodhuar telashe të reja politike. Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti serb, mbrëmjen e 2 majit shfaqen mospajtime rreth temës më të nxehtë në raportet dypalëshe – Asociaconit.

Si pasojë, të nesërmen Kurti urdhëroi shkarkimin e Ekipit Menaxhues me draftin e të cilit ai nuk pajtohej “fundamentalisht”. Fill pas përfundimit të takimit, Kryeministri publikoi një vizion të për Asociacionin, që e kishte prezantuar edhe gjatë takimit. Siç edhe pritej, Kurti nuk e pranoi draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin e hartoi një ekip i padëshiruar prej Kryeministrit, i përbërë prej katër serbëve. Ekipin Menaxhues e kryesonte Danijela Vujiçiq, që është deputete e Kuvendit të Serbisë nga radhët e partisë së Vuçiqit.

“Lirimin” nga detyra të Ekipit Menaxhues nuk e ka përkrahur Bashkimi Evropian. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, tha se Ekipi Menaxhues përfundon mandatin kur të miratohet statuti i Asociacionit. “Vendimi për shpërndarjen e Ekipit Menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti e ka thënë disa herë dhe e ka përsëritur të dielën se Ekipi Menaxhues e ka përfunduar punën dhe lirimi i tij nga detyra është i natyrshëm.

“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai. Kundër shkarkimit të Ekipit Menaxhues ka dalë edhe Serbia, ndërkaq disa pushtetarë në Kosovë e kanë akuzuar Zëdhënësin e BE-së, si njëri që po punon kundër Kosovës. Klisman Kadiu, zëdhënësi i krynegociatorit kosovar në nivel teknik, Besnik Bislimit, duke pohuar se shkarkimi i Ekipit Menaxhues është legjitim, i është kundërpërgjigjur Stanos së BE-së.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, shkroi Kadiu në profilin e tij në Facebook. Edhe Mimoza Kusari, Shefe e Grupit Parlametar të Lëvizjes Vetëvendosje, i ka reaguar Zëdhënësit të BE-së. Sipas saj, BE-ja do të duhej ta kritikonte Ekipin Menaxhues, e jo Qeverinë që e shkarkoi.

“Kjo deklaratë do të kishte pasur njëfarë besueshmërie, nëse BE-ja do të kishte kritikuar ekipin për propozimin e draftit antikushtetues, në kundërshtim me parimet e konfirmuara nga BE. Është e detyrueshme për suksesin e procesit, që BE t’iu qëndroj pas parimeve të saja”, ka shkruar Kusari në Twitter.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, të nesërmen pas takimit, ka thënë se pret që brenda dy javësh të ketë takim tjetër mes palëve. Ai e shihte si progres që Kryeministri Kurti, më në fund, kishte një vizion se si duhet të duket Asociacioni.

“Do të thosha se kemi një nivel të vogël të përparimit me prezantimin e propozimeve të shkruara nga dy palët se si do të duhet të duket Asociacioni. Kështu që, kjo është, do të thosha unë, një prej herëve të para që ne kemi dëgjuar direkt nga Qeveria e Kosovës se cili është vizioni i saj për Asociacionin – dhe e kanë një të tillë”, ka thënë Escobar.

Nuk është konfirmuar ndonjë takim i radhës mes palëve, por Qeveria e Kosovës, në ndërkohë, ka publikuar të gjitha shkeljet e Marrëveshjes Bazë, që, sipas saj, i ka bërë Serbia. Ndërsa takimi në nivel të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq pritet diku rreth datës 20 maj.

Ndër pikat që i ka theksuar Qeveria si shkelje nga ana e Serbisë ka qenë votimi kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës më 24 prill, përkundër nenit 4 të Marrëveshjes, që thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Related Articles