“Kosova i humbi mbi 300 milionë euro nga Serbia që nga ’99-ta”

“Kosova i humbi mbi 300 milionë euro nga Serbia që nga ’99-ta”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se që nga viti 1999, Kosova i ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë. Ai tha se mosfaturimi i energjisë elektrike për serbët në veri dhe refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, po i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj.

“Strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, u kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit 320 milionë euro në faturat e papaguara të energjisë dhe 17 milionë euro në faturat e furnizimit me ujë që nga viti 1999. Strukturat paralele nuk lejojnë faturimin e energjisë elektrike dhe pengojnë zbatimin e një marrëveshjeje energjetike, të arritur në dialog, 10 vjet më parë. Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto bashki u rrit me 70+% në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, shkroi Kurti në Twitter të dielën.

Sipas tij, për këto padrejtësi s’kanë faj qytetarët në komunat veriore, pasi siç tha kryeministri, qytetarët serbë pranojnë se pagesa për shërbimet bazë, mundëson “investime të nevojshme për të përmirësuar më tutje cilësinë e shërbimeve”.

“Ata kanë të drejtë të kenë qasje në shërbime të tilla dhe të jetojnë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat ilegale të udhëhequra nga Serbia”, shtoi ai.

Kurti tha se Qeveria është e përkushtuar në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve të Kosovës dhe në ofrimin e lirisë dhe sigurisë.

Më 21 qershor, Kosova e Serbia kanë miratuar në Bruksel udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrik në veri. Marrëveshja ishte arritur në vitin 2013, por nuk ishte zbatuar kurrë.

Related Articles