Nëpërmjet një letre, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ia ka bërë të ditur Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve se Serbia e ka detyrim që Kosovës t’ia kthejë artefaktet që i janë marrë në vitet 1998-1999.
Leci në këtë letër ka radhitur disa arsyeje pse, sipas tij, Serbia duhet t’ia kthejë 1247 artefakte Kosovës.
“Marrëveshjet e nënshkruara mes institucioneve tona përkatëse parashohin transferimin e artefakteve me qëllimin e ekspozimeve të përkohshme, dhe kthimin e tyre në vendet e origjinës, përkatësisht në Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë e së cilës janë”, thuhet në letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Konventa e UNESCO-s mbi Mjetet e Ndalimit dhe Importit të Paligjshëm, Eksportit dhe Transferimit të Pronësisë së Pronës Kulturore (1970), kërkon parti shtetërore nënshkruese për të siguruar që prona kulturore kthehet në vendin e origjinës”.
Po ashtu në këtë letër shkruhet se “aneksi i 5-të, artikulli 6, paragrafi 1 i planit të Ahtisaarit Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës në mënyrë decidive kërkon që Serbia ti kthej në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik e cila është marrë përkohësisht për ekspozitë në Beograd”.
“Përmes kësaj letre, ne me mirësjellje kërkojmë mbështetjen e ICOM-it për të adresuar këtë çështje në forumet e saj përkatëse, si dhe të nxisë Serbinë dhe muzetë e saj përkatëse që të inicojnë procesin e për kthimin e tyre”, tha Leci.
Ndërkaq në muajin maj, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Ministria e Punëve të Jashtme i kanë nisur dy shkresa Serbisë nëpërmjet të cilave kërkohet kthimi i artefakteve.
Po ashtu pala kosovare, me anë të letrës, e argumenton detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.
Por, delegacioni i Serbisë në UNESCO përmes një postimi në “Twitter”, pati shkruar se “Serbia nuk do t’ia kthejë Kosovës artefaktet që gjenden në kryeqytetin serb në Beograd”.
“Serbia është një anëtare dhe një shtet nënshkruese e Konventës 1970 të UNESCO-s. Ajo ruan dhe mbron pasurinë kulturore në përputhje të plotë me këtë konventë në territorin e saj, duke përfshirë provincën e saj jugore të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet tutje në reagimin e palës serbe gjatë muajit maj.
“Kush janë këta njerëz. E ashtuquajtura Kosovë nuk është as shtet dhe as anëtare e UNESCO-s, e as nuk është nënshkruese e konventës së asaj organizate”.