​Kosova me ushtri por pa gjykatë ushtarake

​Kosova me ushtri por pa gjykatë ushtarake

Kosova nuk ka gjykatë ushtarake për shqyrtimin e shkeljeve ligjore apo veprave penale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë. Kjo gjykatë e luan rolin e forcimit të disiplinës, thotë Sokol Dobruna, i cili ishte kryetar i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas tij, pavarësisht numrit të ushtarëve, Kosova duhet të themelojë institucion të veçantë për trajtimin e rasteve penale të pjesëtarëve të Forcës (FSK).

Megjithatë, me këtë nuk pajtohet ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati dhe drejtori i Qendrës Kosovare për Studimeve të Sigurisë, Mentor Vrajolli. Ata vlerësojnë se ka kosto buxhetore dhe bazuar në numrin aktual të pjesëtarëve të ushtrisë, është e panevojshme një iniciativë të tillë.

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna thotë për KosovaPress se veprimtaria e së njëjtës ka zgjatur rreth katër muaj gjatë viteve ’98 dhe ’99.

“Kemi pasur vetëm një prokuror, një gjykatës që ka mbrojtur të gjykuarit sipas detyrës zyrtare dhe kryetari i gjykatës. Tre persona kemi punuar në kushte që kanë qenë shumë të vështira. Kemi pasur një kompjuter aty. Unë i kam pasur vetëm dy gjykime veç për atë kohë… (01:05) Gjykata Ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo ushtri ka luajtur rolin. Nuk e di çfarë diference duhet të jetë, përveç që Gjykata Ushtarake është diç më procedurë e përshpejtuar”, thotë Dobruna.

Dobruna thekson se është e nevojshme që edhe tani Kosova të themelojë një institucion të tillë, meqë do të shërbejë për forcimin e disiplinës.

“Si çdo shtet, një ushtri përpara unë e kam përfunduar ushtrinë në kohë të ish-Jugosllavisë, ka qenë gjykata ushtarake. Kjo vlen për ushtarët… (03:35) Unë mendoj se pavarësisht nga numri, gjykata ushtarake mirë është të ekzistojë. Sepse ajo e luan rolin e forcimit të disiplinës. Në këtë aspekt, mirë do të ishte, por kjo është çështje e qeverisë, e organeve tjera… Në ushtri ekziston policia ushtarake, policia ushtarake më lehtë e ka për me i mbajt disiplinën kur ekziston gjykata ushtarake”, shton ai.

Por, të njëjtin mendim nuk e ndan ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili thekson se aktualisht është numër i vogël i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Me një numër të caktuar që Ushtria e Kosovës i ka pesë mijë (ushtarë) aktivë dhe tre mijë rezervë apo edhe numër deri në 10 mijë, Kosova është shtet i vogël dhe nuk ka nevojë që të ketë një gjykatë të posaçme ushtarake për shkak se nuk ka edhe raste shumë të theksuara që kanë shkelje ligjore apo kanë vepra penale. Dhe për mendimin tim do të ishte ngarkesë e buxhetit apo e panevojshme që Ushtria e Kosovës të ketë një gjykatë ushtarake. Ne jemi në dijeni që FSK ka nxjerrë një ligj për Ombuspersonin apo për një njeri, i cili do të merret për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve dhe ai person do të jetë në një mënyrë edhe mbrojtës i atyre pjesëtarëve, por edhe urë lidhëse mes gjykatave, mes institucioneve të shtetit, do të jetë njeri që do i përcjellë të gjitha ato manovrimet, punët, shkeljet eventuale të FSK-së”, shprehet ish-komandanti i FSK-së.

Madje, siç shton Kastrati, janë të rralla rastet kur pjesëtarët të Forcës së Sigurisë së Kosovës përfshihen në vepra penale.

“Rastet kanë qenë shumë të vogla dhe shumë të kufizuara, nuk kam dëgjuar asnjëherë. Madje kur kam qenë unë komandant nuk ka pasur rast të rëndë, ka pasur raste disiplinore për atë edhe ushtria ka komisione disiplinore, i ka zyrat juridike që merren me suspendimin eventualisht të zyrtarëve, ndëshkimin në paga 20 për qind, 40 për qind i hiqet eventualisht nëse bën ndonjë shkelje. Por jo vepra penale që do të duhej të trajtohen me gjykata ushtarake”, shton Kastrati.

Edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se bazuar në numrin e vogël të pjesëtarëve të ushtrisë, nuk ka nevojë për themelimin e një gjykate të posaçme.

“Modeli i gjykatave ushtarake i përket ushtrive më të mëdha që kanë nevojë, për shembull shteteve të mëdha që kanë nevojë për të pasur një model të tillë për faktin që numri i pjesëtarëve, të cilët mbulojnë këto gjykata janë të mëdha. Në Kosovë mendoj që numri i ushtarëve është jashtëzakonisht i vogël për të krijuar kaq shumë instanca të cilat janë duke u krijuar. Mendoj që mbase mund të krijohet një dhomë pranë gjykatave aktuale, apo të caktohet një prokuror apo gjykatës që merret me këto raste. Por, nuk mendoj që ka nevojë që Kosova të ketë gjykatë ushtarake”, deklaron ai, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Në lidhje me atë nëse shteti ka nevojë të ketë një gjykatë ushtarake, përkundër kërkesës dhe pritjes, Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjigjur.

Related Articles