Kosova në krah të Shqipërisë e Kroacisë – Serbia ndjehet “e kërcënuar” nga memorandumi që fuqizon FSK-në

Kosova në krah të Shqipërisë e Kroacisë – Serbia ndjehet “e kërcënuar” nga memorandumi që fuqizon FSK-në

Një bashkim forcash mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, ka bërë bujë në Ballkan e më gjerë, shkruan Gazeta Enigma.

Memorandumi trilateral parasheh që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia të forcojnë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisinbashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojnë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë, nga tre ministrat homologëtë Mbrojtjes: Pirro Vengu, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq.

Memorandumi irritoi fortë Serbinë

Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga shteti serb për këtë ujdi, duke luajtur rolin e viktimës dhe targetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se tri shtetet kanë hapur “garë armësh” dhe se “do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”.

Në përgjigje të kësaj, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia thanë se Serbia e agresioni nuk përmenden askund, dhe se memorandumi ka të bëjë me vetëmbrojtje.

Me dy anëtare të NATO-s, FSK-ja fuqizohet

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazetën Enigma se aleanca mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.

“Duke pasur parasysh që Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, kjo marrëveshje i hap Kosovës mundësi më të mëdha për të përfituar nga përvoja, kapacitetet dhe standardet e aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha Shala për “Enigmën”. 

Shala argumenton se për Kosovën, një bashkëpunim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për disa arsye:

Zhvillimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)

Partneriteti me dy vende të NATO-s mund të ndihmojë në modernizimin dhe aftësimin e mëtejshëm të FSK-së, duke e bërë atë më të gatshme për sfida të ndryshme të sigurisë. 

Kosova, më afër NATO-s

Një bashkëpunim më i ngushtë në fushën e mbrojtjes me dy vende fqinje rrit ndjenjën e sigurisë për Kosovën dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan, thotë Shala.

Eksperti i sigurisë tutje tha se marrëdhëniet e ngushta me dy vende anëtare të NATO-s, siç janë Kraocia dhe Shqipëria, e afrojnë atë më shumë me objektivin për t’u anëtarësuar në organizatën euro-atlantike. 

“Reagimet e Serbisë janë të pritshme, pasi çdo bashkëpunim i Kosovës me vende të NATO-s është parë tradicionalisht me skepticizëm në Beograd. Megjithatë, kjo nuk duhet të shihet si një provokim, por si një hap i natyrshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në një kontekst më të gjerë, një aleancë e tillë është në përputhje me interesat strategjike të NATO-s në rajon dhe përmirëson kapacitetet e mbrojtjes kolektive”, përfundoi Shala në një prononcim për Gazetën Enigma.

Kosova po bëhet çdo vit e më e fortë

Në vitin 2018, Forca e saj e Sigurisë ka nisur procesin 10-vjeçar të transformimit në ushtri me kapacitete të plota.

Invistimet në ushtri sa vinë e shtohen

Buxheti i ndarë për vitin 2024 për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës ishte mbi 153 milionë euro. E për këtë vit, buxheti ka arritur një rekord të ri duke shkuar në 208 milionë euro

Investimet për armatim janë rritur për 191 përqind.

Dronët Bayraktar nga Turqia e raketat Javelin nga Shtetet e Bashkuara, janë vetëm dy nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit me të cilat është pajisur Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.

Ndërkaq, në vitin 2022, Qeveria e Kosovës themeloi Fondin e Sigurisë, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në buxhetin e kësaj ministrie përmes një xhirollogarie bankare.

FSK-ja së shpejti me 5,000 ushtarë aktiv

Ministri Maqedonci thotë se këtë vit pritet të nisë faza e tretë dhe e fundit e tranzicionit dhe thekson se disa objektiva të parapara të arriheshin në vitin 2028, tashmë janë realizuar.

Këtu, ai përmend sasinë e mjaftueshme të municionit, si dhe përparimet në rekrutimin e personelit.

“Tanimë e kemi kaluar numrin prej 4.000 [ushtarësh]. Besoj se është mbi 4.300 apo 4.400. Në këtë aspekt, jemi më herët në kohë – pra i kemi realizuar objektivat më herët seç ka qenë e paraparë. Unë besoj se deri në vitin e ardhshëm do t’i kemi 5.000 [ushtarë]”, shprehet Maqedonci.

Deri në fund të transformimit, Forca e Sigurisë së Kosovës pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë – prej tyre 5.000 aktivë dhe të tjerët rezervistë. / GAZETA ENIGMA

Related Articles