Kosova në krizë institucionale – Qeveria në detyrë me sytë kah emigrantët: Si ndikon kjo në diplomaci dhe siguri?

Kosova në krizë institucionale – Qeveria në detyrë me sytë kah emigrantët: Si ndikon kjo në diplomaci dhe siguri?

Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pas mbajtjes së një mbledhjeje elektronike më 11 qershor.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend – të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës – do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurti shtoi se autoritetet kosovare do të punojnë “në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse amerikane gjatë gjithë procesit”.

“Do duhej të kishte debat parlamentar”

Deputetja Time Kadrijaj nga AAK tha për Gazetën Enigma se kjo Qeveri fillimisht do të duhej të fokusohej në konstituimin e Kuvendit, e më pas të kishte debat parlamentar për pranimin e emigrantëve.

“Ne kemi bllokadë institucionale, e shkaktuar nga kjo Qeveri, e cila nuk ka legjitimitet për të marrë as edhe një vendim, sepse së pari, i gjithë angazhimi është dashur të përqendrohej në konstituimin e Kuvendit, në zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe më pas të fillonte debati për atë që duhet të pranohet dhe çfarë jo”, tha Kadrijaj për “Enigmën”.

“Fillimisht është dashur të analizohet nëse ka infrastrukturë, nëse ka objekte – nuk dihet se si do të menaxhohet kjo dhe cilët do të jenë ata emigrantë që do të strehohen në Kosovë. Mbetet të shihet në ditët në vijim. Por edhe njëherë po e përsëris se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të marrë asnjë vendim”.

Deputetja e AAK-së tutje tha se emigrantët duhet pranuar, “pasi edhe vetë kemi qenë emigrantë dhe çdo vend na ka pranuar”.

“Por duhet të ketë mekanizma të veçantë, të cilët do të vëzhgojnë se kush janë ata emigrantë, si do të sillen, a do të respektojnë ligjet e Kosovës, a do të sillen në përputhje me normat njerëzore dhe etike”, u shpreh Kadrijaj.

A është ky një hap i drejtë për diplomaci?

Në aspektin gjeostrategjik dhe të politikës së jashtme, ky është një hap i qëlluar, thotë për Gazetën Enigma eksperti i sigurisë nacionale, Drizan Shala.

“Kjo lëvizje tregon “Besueshmëri dhe përkushtim të Kosovës ndaj partneritetit me Shtetet e Bashkuara, që është aleati kryesor strategjik i vendit, si dhe pozicionimin e Kosovës si një aktor konstruktiv dhe humanitar, në përputhje me normat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thekson Shala.

“Rritjen e profilit të Kosovës si partner i besueshëm në operacionet ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në kontekste të ndjeshme, siç është menaxhimi i migracionit dhe azilit. Kurse në planin ndërkombëtar, kjo lëvizje forcon imazhin e Kosovës si vend që kontribuon në zgjidhjet globale, duke ndihmuar edhe në kërkesën për njohje të mëtejshme”.

Shala tutje pohoi një rrezik minimal, pasi sipas tij, shtetet me qëndrime të ftohta ndaj SHBA-ve, si Serbia apo ndonjë aktor i tretë me ndikim rus, “mund ta paraqesin këtë si nënshtrim ndaj Perëndimit”.

“Mund të krijohet perceptimi i padrejtë se Kosova po përdoret si territor për të zgjidhur problemet e migracionit të SHBA-ve, por kjo mund të menaxhohet me transparencë dhe komunikim publik. Megjithatë, kjo retorikë është tashmë e zakonshme dhe nuk do të ketë ndikim të madh praktik”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Shala gjithashtu tha se ekzistojnë rreziqe për rritjen e kërkesave për mbrojtje, “por ato janë të kufizuara në këtë fazë për shkak të numrit të vogël të personave”.

A është kjo mbrojtje e përkohshme apo hap drejt integrimit?

“Nëse qëndrimi i tyre zgjatet, mund të krijohen sfida të integrimit: arsim, punësim, shëndetësi”, thotë Shala.

“Kosova aktualisht nuk ka kapacitete të zhvilluara për integrim afatgjatë, veçanërisht për individë me prejardhje kulturore dhe sociale shumë të ndryshme. Më së shumti, kjo do të funksionojë si një fazë tranzitore deri në zhvendosjen ose kthimin e tyre në vendet përkatëse, sipas marrëveshjeve me SHBA-në.”

Kosova në bisedime për të pranuar emigrantë edhe nga Mbretëria e Bashkuar

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 26 maj, ka shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar për propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrin në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

Kosova ka marrëveshje edhe me Danimarkën, por të burgosurit ende nuk janë transferuar

Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan, për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Megjithatë, transferimi i të burgosurve ende nuk është bërë.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje në drejtim të ekzekutivit lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kosova ka strehuar edhe më parë emigrantë me kërkesë të SHBA-së

Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, të cilët ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

Pas dy vjetësh funksionimi, kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj ishte mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA ose në ndonjë vend tjetër perëndimor. /Gazeta Enigma

Related Articles