Përkundër se një vit më parë Kosova ishte shumë pranë anëtarësimit në Këshill të Evropës, sivjet Kosova s’e ka rrugën “shend e verë” drejt këtij institucioni. Madje anëtarësimi i saj nuk është as në agjendën e KiE-së në mbledhjen e Komitetit të Ministrave që mbahet më 13 dhe 14 maj, shkruan Gazeta Enigma.
Në prill 2023, Komiteti i Ministrave i Këshillit votoi me 33 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime për të dërguar aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare, një moment që u cilësua nga ish-Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz, si “hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia”.
Në mars 2024, Komiteti i Punëve Politike dhe Demokracisë i Asamblesë Parlamentare rekomandoi anëtarësimin e Kosovës, por vendimi përfundimtar u shty për shkak të mosmarrëveshjeve rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një kusht i ngritur nga disa shtete anëtare, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.
E ky momentum duket se është humbur, pasi Kosova nuk pritet të jetë në agjendë për anëtarësim në Këshillin e Evropës as në mbledhjen e komitetit të Ministrave që mbahet në mesin e muajit Maj.
Në mbledhjen që do ta mbajë Komiteti i Ministrave me 13 dhe 14 maj, Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës.
“Anëtarësimi është jo vetëm një një proces meritokratik, por në rradhë të parë është politik“
Ndërkohë aktualisht Kosova po përballet me një krizë institucionale, për shkak të mos konstituimit të Kuvendit dhe mos formimit të ekzekutivit të ri.
Por njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, vlerëson se problemi i Kosovës për anëtarësimin në KiE është problem i jashtëm dhe nuk lidhet me formimin e Qeverisë së re. Sipas tij, kjo po varet nga politika që disa vende të BE-së po ndjekin karshi Kosovës.
“Problemi i Kosovës në lidhje me përpjekjen për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës nuk lidhet në thelb me formimin ose jo të qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe nuk duhet të ketë iluzione për këtë. Pengesa për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion është e natyrës politike, por jo në raport me zhvillimet e brendshme në Kosovë, por me qasjen politike që kanë përzgjedhur të ndjekin një sërë vëndesh anëtare të Këshillit të Europës. Për ta kaluar këtë ngërç, nevojitet më shumë se sa thjesht krijimi i qeverisë së re. Për sa i përket impaktit që krijon situata aktuale politike në Kosovë, gjykoj që nuk ekziston një rrezik në raport me këtë proces integrues. Ndjeshmëria më e drejtpërdrejtë për këtë situatë është për vetë qytetarët e Kosovës, të cilët meritojnë formimin e institucioneve që duhet t’u shërbejnë atyre në përditshmëri”, tha ai për Gazetën “Enigma.
Çipa gjithashtu tregoi se sa afër është Kosova për të fituar statusin e shtetit anëtar në Këshillin e Evropës.
“Nga pikëpamja e përmbushjes së kushteve teknike dhe bazës ligjore, Kosova e meriton anëtarësimin në këtë institucion. Pavarësisht se gjithmonë ka vend për harmonizimin e legjislacionit në bazë të kërkesave instituticionale, Kosova ka një bazë e një praktikë ligjore plotësisht konform standardit të Këshillit të Europës. Megjithatë, anëtarësimi është jo vetëm një një proces meritokratik, por në rradhë të parë është politik”, shtoi ai.
Tutje, ai përmendi edhe hapat që duhet ndërmarrë nga Qeveria në ardhje, në këtë drejtim.
“Pavarësisht kompromiseve që ka marrë përsipër Kosova në dy vitet e fundit, nuk ia ka dalë të krijojë një kapital të mjaftueshëm për të bindur vendet anëtare që janë reticente për ta përqafuar anëtarësimin e saj në KiE. Qeveria e ardhshme duhet të shumëfishojë përpjekjet për ta pranëvenë dialogun me partnerët në funksion të adresimit të pretendimeve që mund të kenë, por duke këmbëngulur dhe të mos-mbajtja peng e procesit integrues në këtë insitucion si formë presioni për procese të që nuk lidhen drejtpërdrejtë ose aspak me të”, thekson ai.
“Në një plan më të gjerë, qeveria e re e Kosovës do të duhet të thellojë angazhimin politik e diplomatik me partnerët më të afërt europianë e jo vetëm. Kjo duhet bërë duke marrë parasysh jo vetëm këtë proces integrues, por mbi të gjitha zhvillimet gjeopolitike që po shënojnë një transformim të skenës ndërkombëtare dhe që prekin në mënyrë përmbajtësore të gjithë kontinentin europian dhe pashmangërisht edhe Ballkanin”, përfundoi Çipa.
Neglizhimi i ekzekutivit karshi procesit
Kurse analisti politik, Blerim Burjani, potencon se institucionet kosovare nuk po merren fare me këtë temë dhe se kjo qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, ka probleme me legjitimacionin e veprimit.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që nga refuzimi për të përfshirë Kosovën në agjendën e Këshillit të Evropës (KiE) për anëtarësim, dhe institucionet kosovare duket se nuk merren fare me këtë temë. Bllokada e agjendës ka ndodhur, por nuk ka pasur zhbllokim dhe as interesim të madh nga institucionet për anëtarësim. Kjo bllokadë institucionale, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, ndoshta ndikon më shumë në çështjet globale mes Kosovës dhe BE-së, Kosovës dhe KiE-së, si dhe organizatave të tjera. Institucionet kosovare kanë probleme me legjitimacionin e veprimit. Kosova aktualisht ka një qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, dhe nuk dihet se sa hezitim mund të kenë organizatat ndërkombëtare për të hyrë në raporte kontraktuale me të. Deri më tash, ka pasur pak ose aspak interesim për të bashkëpunuar me këtë qeveri në detyrë”, ka thënë ai.
Tutje, Burjani tha se Kosova ka përmbushur qysh moti kushtet për anëtarësim, por kjo po ndalohet nga faktorë abstraktë politik.
“Anëtarësimi është i kushtëzuar nga shumë faktorë abstraktë dhe politikë. Nuk ka kushte të qarta dhe vendimtare që Kosova duhet të përmbushë. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim, por për arsye politike, të cilat nuk janë kritere të KiE-së, agjenda për anëtarësimin e saj është bllokuar. Për aq sa është edhe larg për momentin, KiE-ja duhet të jetë e qartë se për çfarë po e pengon Kosovën duke mos e përfshirë në agjendë”, shtoi ai.
Burjani tregoi edhe për hapat e mëtutjeshëm që Qeveria duhet të ndërmarrë.
“Qeveria nuk mund të ndërmarrë hapa të tjerë përveç lobimit të domosdoshëm që duhet të bëjë. Pra, kërkohet një lobim më i madh dhe më aktiv. Për momentin, Kosova nuk ka institucione aktive dhe të konstituuara plotësisht, gjë që e vështirëson situatën. Legjitimacionin e ka vetëm presidentja”, përfundoi ai.
E ish-anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Xhavit Haliti, deklaroi për Gazetën “Enigma” se mosfutja e Kosovës në agjendën e KiE-së, është pasojë e krizave që ka pësuar qeveria.
“Kërkesa për anëtarësimin në Këshillin e Evropës është bërë vetëm sa për sy e faqe, dhe mospranimi i Kosovës në KiE është pasojë e krizave që ka pësuar qeverisja dhe raportet ndërkombëtare në Kosovë edhe kësisoj është larguar nga agjenda për t’u diskutuar çështja e anëtarësimit”, tha ai.
“Qeveria e Kosovoës duhet të punojë shumë për të zbatuar rregullat që ka vënë KiE, si një institucion që merret rregullisht me të drejtat e njeriut dhe kërkesë e tyre ështe që raportet ndërnacionale dhe të drejtat e komuniteteve me qenë sipas standardeve që ata kërkojnë”, shtoi tutje ai.
Haliti tha se Kosova duhet të punoj së pari për heqjen e masave që janë vënë nga BE.
“Një tjetër problem është që Kosova gjendet nën sanksione nga BE dhe nuk e di si mund të kërkohet anëtarësimi kur jemi në këso rrethanash. Vendi duhet të punojë në këtë drejtim, t’i heq masat. Në kohën kur Evropa po përgatitet për luftë, ne po “flladitemi” me betejën së kush do të bëhet kryeministër i Kosovës”, përfundoi Haliti./ Gazeta Enigma/