Një makinë ‘Audi Q7’ është vjedhur mbrëmjen e së dielës në Milot. 21-vjeçari Meriton Ahmetaj, nga Kosova, së bashku me shokun e tij, me automjetin tip “Audi Q7” me targa 04-599 FO, në aksin rrugor Milot-Rrëshen ka denoncuar se ka rënë pre e grabitjes me armë.
Ai ka deklaruar se disa persona të armatosur, i kanë bllokuar rrugën dhe i kanë marrë ‘Audi Q7’, e më pas janë larguar përgjatë Rrugës së Kombit në drejtim të Rrëshenit.
Burime për Report Tv nga policia e Lezhës konfirmojnë se është vjedhur makina ‘Audi Q7’, ndërkohë që sipas bluve të Lezhës nuk janë përdorur armë. Sipas policisë së Lezhës, dy të rinjtë kanë deklaruar në policie se kanë qenë duke ardhur nga Kosova për në Shqipëri, dhe në Milot janë ndalur për të blerë fruta-perime.
Aty një automjet me tre persona, nuk i kanë lënë të lëvizin, duke u vjedhur automjetin. Po sipas denoncimit, thonë blutë e Lezhës, nuk janë dhunuar dhe nuk kanë parë armë, as nuk kanë mundur të shquajnë fytyrat e personave që u kanë dalë para. Policia thotë se janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin disa shtetas që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike.
‘Në aksin rrugor Milot-Rrëshen, persona ende të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me mjet tip “BMË” , i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Audi” me drejtues shtetasin M.A.,21 vjeç dhe pasagjer shtetasin F.M., 21 vjeç, banues në Kosovë, ku pasi kanë ndaluar , ju kanë marrë automjetin dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë hetimit, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dokumentimin e kësaj ngjarje.
Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin disa shtetas që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike. Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje, më qëllim, kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.’- njofton policia.