KPK-ja, Kurtit: Nëse ke informacione për Dino Asanajn, na i sjell

KPK-ja, Kurtit: Nëse ke informacione për Dino Asanajn, na i sjell

Të mërkurën (19 prill), në prangat e Policisë së Kosovës ra kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili ka drejtuar më parë Komitetin për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa pozitën e kryeshefit në KEK e kishte marr më 4 nëntor të vitit 2021 si i përzgjedhur nga Bordi i përkohshëm i ndërmarrjes.

Krasniqi është arrestuar si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

E gjatë ditës së sotme u zhvillua seanca ndaj tij, ku Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi 1 muaj paraburgim.

Reagime për arrestimin e tij pati nga opozita e nga shoqëria civile, por edhe nga zyrtarë të partisë në pushtet, raporton Klankosova.tv.

Këta të fundit i dolën në mbështetje Krasniqit, ndërsa arrestimin e tij e lidhën me refuzimin që presidentja Vjosa Osmani i kishte bërë kërkesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

E veç tyre, reagim ndaj Isufajt sot pati edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit, duke folur për Isufajn në Kuvendin e Kosovës, tha se “ata që e bëjnë vrasjen vetëvrasje dhe vetëvrasjen vrasje, s’mund të bëhen kryeprokuror”, përcjell Klankosova.tv.

“Andaj e konsiderojmë që le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve, jo vetëm në kutitë e votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj”.

“Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasojat dhe nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen ta bëjmë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”, u shpreh tutje ai.

Veç nga Kurti, emri i Isufajt sot u përmend shpesh në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, “posaçërisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, deklaron se, sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast”.

KPK-ja thekson se, “për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti”.

“KPK-ja thekson se institucionet prokuroriale janë të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë”.

Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës informon publikun e gjerë se, “sa i përket rastit ‘Sopa’, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate”.

Gjithashtu, KPK-ja tha se demanton deklaratat, siç i quajti, “të pavërteta se ka pasur raste edhe me herët por kinse nuk janë ka trajtuar”.

“Pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le ta deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë”, tha KPK-ja.

KPK-ja deklaron se mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, “të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit”. 

Related Articles