Vetëm deri më 10 prill përbërja aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e dalë nga përbërja parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ka mandat për të ushtruar funksionet e saj.
Por, nëse nga kjo javë e parë e marsit vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të dështimit për të zgjedhur Presidentin e ri, legitimiteti i përbërjes aktuale për të organizuar një proces të ri zgjedhor bëhet i diskutueshëm, sepse ajo nuk reflekton zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, por një proces zgjedhor paraprak.
Pavarësisht situatës kritike politike në të cilën ndodhet vendi, presidentja aktuale, Vjosa Osmani nuk ka filluar porcedurën për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Afati se kur përfundon mandati i anëtarëve të KQZ-së dhe të gjitha afatet tjera për emërimin e anëtarëve të rinj, janë të përshkruar qartë në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk krijojnë hapësirë për dyshime.
Neni 61 i këtij ligji ka përshkruar hap pas hapi procedurën që duhet të ndiqet nga presidenti i Kosovës për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Sipas përllogaritjeve të afateve që parashihen në këtë ligj, afati i fundit që presidentja të kërkojë nga grupet parlamentare emrat për anëtarë të KQZ-së është data 11 mars 2026. Grupet parlamentare apo subjektet politike kanë kohë që deri më 18 mars të bëjnë propozimet e tyre, kurse emërimi i tyre nga presidentja duhet të bëhet deri më 23 mars.

Pikënisje e këtij procesi është data e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve – 9 shkurt 2026.
Duke u bazuar në paragrafin e 5 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, mandati i KQZ-së fillon më së largu deri 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pra deri më 10 prill 2026. Kjo do të thotë se deri në këtë datë, përbërja aktuale e KQZ-së ka mandat ligjor për ushtrimin e detyra dhe funksioneve ligjore.
“Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend. Fillimi i mandatit sipas këtij paragrafi, nënkupton përfundimin e mandatit paraprak”, thuhet në paragrafin 5.
Ndërkaq, një paragraf më poshtë është e përshkruar procedura që duhet të ndiqet nga Presidenti i shtetit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Duke u bazuar në këtë paragraf, presidenti i vendit do të kërkojë nga grupet parlamentare propozimet e tyre për anëtar jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, pra deri më 11 mars 2026.
Grupet parlamentare kanë afat që brenda 7 ditësh të dërgojnë propozimet e tyre, pra deri më 18 mars, kurse emërimi i tyre të bëhet brneda 5 ditësh, pra deri më 23 mars.
Çka pas 10 prillit?
Nëse nga kjo jaw e parë e marsit vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, organizimi i zgjedhjeve do të përballej me mungesë të legjitimitetit dhe vedimmarrja e KQZ-së mund të jetë e kontestueshme.
Ndonëse përbërja aktuale ka mandat deri më 10 prill, vetë organizimi i zgjedhjeve deri në këtë datë paraqet problem substancial, edhe nëse do të relativizohej çështja e përfundimit formal të mandatit pas 10 prillit 2026.
Përbërja akuale e KQZ-së është produkt i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ndërsa më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar një proces i ri zgjedhor që ka prodhuar një konfigurim të ri të grupeve parlamentare. Si rrjedhojë, struktura ekzistuese e KQZ-së nuk reflekton më raportin aktual të forcave politike në Kuvend.
Organizimi i një procesi të ri zgjedhor nga një përbërje që nuk pasqyron realitetin e fundit elektoral do të cenonte parimin dhe të drejtën e përfaqësimit. Kjo situatë, mund ta bëjë të kontestueshme vendimmarrjen e KQZ-së.
Largohen Kurteshi e Krasniqi
Ende nuk dihet nëse grupet parlamentare do të ri-propozojnë emrat e përfaqësuesve aktualë në KQZ-së, por tashmë dihet se disa nga anëtarët nuk mund të ri-emërohen për shkak të kufizimit ligjor.
“Anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më sumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”, thuhet në pargarafin 4 të nenit 61 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, dhe disa nga anëtarët kanë arritur këtë kufizim ligjor.
Është e sigurt se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund ta propozojë anëtarin Sami Kurteshi, kurse Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshanin, të cilët kanë marrë nga tri mandate deri tani.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Vetëvendosje dhe PDK do të përfaqësohen në KQZ me nga 2 anëtarë, kurse LDK dhe AAK me nga një anëtar.
Subjektet politike minoritare, kanë të drejtën e tyre për të propozuar 4 përfaqësues në KQZ.
