Sot në Prishtinë u mbajt Konferenca e 25-të Ndërkombëtare mbi Dhunën Seksuale në Konflikt, një ngjarje e rëndësishme që solli së bashku të mbijetuar, aktivistë dhe përfaqësues të institucioneve për të diskutuar përvojat dhe sfidat e vazhdueshme që lidhen me këtë problem.
Një nga fjalimet më prekëse ishte ai i Vasfije Krasniqit, e cila përjetoi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo shprehu emocione të thella dhe tha se, megjithëse kanë kaluar 25 vjet, kujtimet e atyre ngjarjeve mbeten të freskëta në mendjen e saj.
“Kam shumë emocione, nuk mund t’i kontrolloj emocionet. Për mua, asnjëherë nuk harrohet e kaluara,” u shpreh Krasniqi, e cila falënderoi familjen dhe bashkëshortin për mbështetje, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo theksoi se është e domosdoshme që qeveria të angazhohet më shumë për mbështetje ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Duhet të bëjmë më shumë për të mbijetuarit. Kjo qeveri duhet të bëjë më shumë,” kërkoi ajo, duke shprehur shqetësimin për nevojën e rritjes së vëmendjes dhe përkrahjes për ata që kanë kaluar përvoja të dhimbshme.
Konferenca shërbeu si një platformë për të rritur vetëdijen dhe për të ndihmuar në trajtimin e pasojave të dhunës seksuale në konflikt, një temë që vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për shoqërinë kosovare dhe për të gjithë ata që janë prekur nga këto tragjedi./GazetaEnigma/