Një ngjarje e rëndë tronditi Austrinë mëngjesin e djeshëm, kur një 21-vjeçar kreu një sulm të armatosur në një shkollë në qytetin e Grazit, duke vrarë të paktën dhjetë persona dhe më pas duke i dhënë fund jetës së tij.
Mediat austriake raportuan se policia ka gjetur një letër lamtumire në banesën e autorit, ku ai shprehet se ishte ndier i bulizuar dhe i përjashtuar, një motiv që po trajtohet nga hetuesit si arsye e mundshme për këtë akt të tmerrshëm.
Në mesin e viktimave ishte edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova, e identifikuar si Lea Bajrami, vetëm 15 vjeç. Ajo vinte nga komuna e Vitisë dhe jetonte me familjen në Austri.
Lea ndodhej brenda objektit shkollor në momentin kur ndodhi sulmi. Vdekja e saj është konfirmuar nga familjarët përmes rrjeteve sociale, ndonëse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk ka dhënë konfirmim zyrtar.
Në komunikatën e MPJD-së thuhet se ekziston mundësia që në mesin e viktimave të jetë edhe një vajzë e mitur me shtetësi ose prejardhje nga Kosova, por pritet verifikimi përfundimtar nga autoritetet austriake.
Axha i vajzës, Muhabi Bajrami, reagoi përmes një postimi emocional në Facebook, duke konfirmuar lajmin tragjik dhe duke falënderuar të gjithë ata që po qëndrojnë pranë familjes në këto çaste të dhimbshme.
“Me zemër të thyer dhe dhimbje të madhe, njoftojmë familjarët e miqtë, që mbesa jonë, Lea Ilir Bajrami, humbi jetën tragjikisht në sulmin e ndodhur në Graz të Austrisë”, ka shkruar ai.
Ngjarja ka lënë të tronditur qytetarët e Grazit dhe të gjithë opinionin publik në Austri dhe më gjerë.
Në nderim të viktimave, autoritetet austriake kanë shpallur tri ditë zie kombëtare, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij sulmi të rëndë.
Ndërkohë edhe liderë të shumtë nga Kosova e Shqipëria, kanë shprehur gjatë ditës së martë ngushëllime për jetët e humbura në Graz, në mesin e tyre edhe për vogëlushen nga Kosova.