Nga mbrëmja e 21 majit deri dje, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kalllas, qëndroi në tri vende të Ballkanit Perëndimor.
Së pari e nisi vizitën në Beograd, erdhi në Prishtinë dhe në fund e la Shkupin.
Mesazhi i saj ishte i qartë për të gjashtë vendet e rajonit që deklarojnë se aspirojnë anëtarësimin në bllokun europian: “Shfrytëzojeni momentumin aktual që kemi në zgjerim”.
“Po, ky proces ka vazhduar për mjaft kohë, por ka gjithmonë një momentum politik dhe ky momentum politik është pikërisht tani – Europa e bashkuar është një vizion për të cilin ne të gjithë duhet të punojmë”, tha Kallas në konferencën e saj për media në Beograd më 22 maj.
Vizita e shefes së diplomacisë së BE-së në Beograd ndodhi pas asaj që pati presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Moskë.
Për këtë arsye, Kallas s’nguroi të përmendë dallimet që ka Serbia me BE-në.
“Siç pritej, pikëpamjet janë shumë divergjente, por ne patëm një shkëmbim të mirë për çështjet përfshirë pranimin e Serbisë në BE, reformat e brendshme dhe dialogun e vazhdueshëm me Prishtinën”, tha ajo derisa komentoi edhe vizitën e Vuçiqit në Moskë.
“Unë me të vërtetë nuk e kuptoj pse është e nevojshme të qëndrojmë krah për krah me personin që po zhvillon këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë”.
Kallas i përmendi Serbisë edhe detyrat që nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.
“Reformat janë mënyra se si Serbia do të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk ka rrugë të shkurta për anëtarësim. Këtu në Beograd duhet të bëhet përparim i vërtetë dhe hapat e ardhshëm janë shumë të qartë. Ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, reformat zgjedhore”.
Përfaqësuesja e Lartë njoftoi se në takimet e saj me krerët serbë ka biseduar “edhe për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjin e saj më të afërt”, ndërsa paralajmëroi lëvizje në procesin e ngecur të dialogut Kosovë-Serbi.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është vetëm përmirësim i marrëdhënieve. Është thelbësore për të ardhmen europiane të Serbisë. Është koha për të kapërcyer të kaluarën dhe për t’u fokusuar në të ardhmen e përbashkët. Kam në plan të ftoj përfaqësuesit nga Beogradi dhe Prishtina në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar hapat konkretë përpara”.
Kallas tha se presidentit serb ia ka theksuar edhe rëndësinë e stabilitetit në Bosnjë e Hercegovinë.
“Unë po ashtu adresova situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. I theksova Presidentit Vuçiq dhe liderëve të tjerë rëndësinë e lidershipit dhe rolit konstruktiv të Serbisë në mbështetjen e stabilitetit të vendit”.
“Nga kjo varet e ardhmja e rajonit”, tha Kallas në Beograd.
Në pjesën e dytë të ditës, në Prishtinë Kallas ritheksoi se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Bashkimin Europian.
“Zgjerimi i BE-së në këtë rajon është projekti ynë më i rëndësishëm gjeopolitik dhe është gjithashtu një prioritet personal për mua”, tha diplomatja estoneze.
Një fjali që s’mund ta thoshte në Beograd, Kallas e tha në Prishtinë.
“Është mirë që anëtarësimi në BE mbështetet nga shumica e njerëzve në Kosovë dhe në një spektër të gjerë politik”, tha ajo, duke shtuar se Kosova i përket familjes europiane, por edhe këtu e përsëriti se nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësim në BE.
“Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”.
Para se të përmendte raportet me Serbinë, Kallas e vuri në dukje rëndësinë që Kosova të ketë sa më parë institucionet për të përfituar nga Plani i Rritjes – një pako financiare e BE-së e dizajnuar për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe për integrimin gradual në një treg të vetëm të Bashkimit Europian, që po sjell prosperitet për njerëzit. Pra, Kosova ishte e para që paraqiti një agjendë reformash dhe është e pozicionuar mirë për të përfituar nga Plani i Rritjes. Dhe sigurisht, që kjo të ndodhë, Kosova ka nevojë për institucione funksionale që mund të zbatojnë në mënyrë efektive reformat. Prandaj i inkurajoj të gjitha palët që të thyejnë ngërçin politik dhe të formojnë shpejt një qeveri, në mënyrë që Kosova të përfitojë edhe nga mbështetja jonë”.
Kallas tha se në Prishtinë erdhi gjithashtu këtu për të dëgjuar dhe kuptuar më mirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Prioritet kyç mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë. Si Bashkim Europian dhe si Përfaqësuese e Lartë, unë do të vazhdoj të mbështes këtë proces. Dhe për ata që ende dyshojnë në procesin, më lejoni të jem e qartë: normalizimi i marrëdhënieve tuaja është e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për njerëzit e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”.
Kallas në këtë vizitë solli me vete edhe vendimin e BE-së për heqjen graduale të masave me kushtin për shtensionim në veri.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara në qershor të 2023-ës. Vendimi hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe gjithashtu lidhje më të ngushta me Europën. Por kjo është e kushtëzuar nga de-përshkallëzimi i vazhdueshëm në veri”.
Ajo tha se mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri minon përpjekjet drejt de-përshkallëzimit.
“Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike në vitet e fundit dhe misioni ynë EULEX vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë. Por përsëri, korniza aktuale politike dhe ngërçi po e mban Kosovën prapa”.
Kallas përsëriti se formimi i parlamentit dhe qeverisë së re është kyç për stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen europiane të Kosovës.
“I inkurajoj të gjithë aktorët politikë, në [të gjithë] spektrin politik, që realisht të punojnë me njëri-tjetrin dhe me komunitetet e përfaqësuara në Kosovë. Bashkimi Europian është i gatshëm t’ju mbështesë, por liderët politikë duhet të lënë mënjanë ndarjet dhe t’i japin përparësi të ardhmes së Kosovës”, tha ajo në fund të fjalimit në konferencën në Prishtinë.
Ndryshe siç veproi në Beograd e Prishtinë, Kallas në Shkup konferencën për media e mbajti me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Po ashtu, Kallas në Shkup – ku shkoi për herë të parë – pati më shumë lëvdata për të bërë për progresin e vendit drejt BE-së.
“Bashkimi Europian qëndron fort me Maqedoninë e Veriut në rrugën tuaj drejt Bashkimit Europian. Maqedonia e Veriut është përfituesja i parë në rajon i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ju thjesht po përshkruanit se sa mirë po ecën ekonomia juaj, mendoj se edhe ne përfitojmë nga kjo. Dhe [ju jeni] vendi i parë në rajon që nënshkruat një Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me Bashkimin Europian”.
Ky partneritet, tha Kallas, nxit punën e përbashkët për Ukrainën, kërcënimet hibride dhe kundërterrorizmin, si dhe tregon se integrimi gradual po funksionon në praktikë – por ne të dyja palët duam më shumë, kjo është shumë e qartë.
“Maqedonia e Veriut i përket Bashkimit Europian. Ju keni një histori të fortë të përafrimit me Sigurinë e Përbashkët Europiane dhe Politikën e Jashtme. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, veçanërisht në këto kohë shumë të trazuara që shohim ndryshime të mëdha gjeopolitike që po ndodhin në botë”.
Po ashtu, Kallas e vuri në dukje edhe rolin e Maqedonisë së Veriut për stabilitetin rajonal.
“Kontributi juaj në EUFOR Althea në Bosnje Hercegovinë është një shembull i qartë se ju jeni një partner i besueshëm për sigurinë rajonale. Përgëzoj përpjekjet tuaja të forta të bëra nga Maqedonia e Veriut dhe qeveria juaj në agjendën tuaj të reformave”.
“Ju e dini më mirë se kushdo që rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë, ndaj mesazhi im sot është të qëndrojmë në rrugën e duhur dhe të ndërmarrim hapat e ardhshëm të nevojshëm drejt hapjes së negociatave. Do të nënkuptojë gjithashtu se Bashkimi Europian do t’i japë Maqedonisë së Veriut edhe më shumë mbështetje, qoftë në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, apo modernizimin e administratës publike të Maqedonisë së Veriut”.
Këtu Kallas përmendi edhe shembullin e Shqipërisë e Malit të Zi.
“Ne e dimë nga përvoja se progresi mund të jetë i shpejtë nëse ka vullnet politik. Shqipëria dhe Mali i Zi janë shembuj të mirë për këtë”.
“Ne besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është receta më e mirë për paqen dhe sigurinë, edhe në të gjithë rajonin”.
“Pra, le të ecim së bashku përpara, dhe ju siguroj se Bashkimi Europian qëndron fort pranë jush”, përfundoi Kallas në Shkup.