Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e parlamenti bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Skenderaj.
Homazhe për nderë të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Osmani tha se sot jemi këtu për ta përkujtuar sakrificën e familjes Jashari.
“Ne gjithmonë do ta kemi udhërrëfyes trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari sepse ajo çfarë ata bënë për atdheun do të mbes një dritë e cila do të ndriçoj rrugën përpara të brezave të tërë. Prandaj lavdi dhe përkujtimi i tyre do të jetë i përhershëm”, tha Osmani.
Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë homazheve ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe se e vërteta dhe drejtësia e Kosovës nuk mund të tjetërsohen nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen.
Ai shtoi se gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe si krerë institucionalë jo vetëm se nuk e harrojnë këtë fakt, por edhe dinë se si të ecin përpara.
“Erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari, të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar UÇK-së. Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991, edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia e e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen, gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura ”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se sot po i nderojnë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Së bashku me presidenten e vendit dhe kryeministrin po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Është moment ky kur sakrifica kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK. Një moment i cili jo vetëm që ktheu të gjithë kombin në një ushtri e të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë faktikisht e shkundi gjithë botën, e lëvizi botën demokratike dhe e aktivizoi faktorin ndërkombëtar”, tha ai. / Gazeta Enigma.