Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur një aksion të gjerë inspektimi ndaj bizneseve që operojnë në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në Kosovë.
Aksioni, i zhvilluar në kuadër të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut, ka përfshirë disa komuna të vendit, përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Gjakovën, Prizrenin, Podujevën, Rahovecin dhe Suharekën. Qëllimi i inspektimeve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Gjatë ditës së parë të kontrolleve janë inspektuar gjithsej 16 biznese. Si rezultat i gjetjeve, ndaj 6 subjekteve është vendosur masa e ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë, për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar, kryesisht mosplotësimit të kushteve minimale teknike.
Ndërkohë, 6 biznese të tjera janë ndëshkuar me gjoba për mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore.
Sipas IQMT-së, aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa në kuadër të planit operacional pritet të kontrollohen mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të evidentuar veprimtarinë e ndërmjetësimeve të tjera monetare.
Inspektorati ka apeluar ndaj operatorëve ekonomikë që merren me kriptovaluta dhe këmbime monetare që të sigurojnë përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore, përfshirë pajisjen me pëlqimin për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt dhe ligjor të këtij sektori.
