Kritikohet mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike – Opozita fajëson ekzekutivin

Kritikohet mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike – Opozita fajëson ekzekutivin

“Zërat” për rritjen e çmimit të energjisë eletrike veç vijnë e shtohen, teksa ende nuk ka një vendim konkret për këtë, shkruan Gazeta Enigma.

Kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës, kështu ka konfirmuar kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave”, ka thënë Fejzullahu, por pa saktësuar se sa është kërkesa e tyre për rritje.

Aktualisht, thotë ai, ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve.

Por, çfarë ndikimi pritet të ketë një rritje e tillë tek xhepi i qytetarëve?

Ekonomisti Mustafë Kadriaj, thekson se është tejët e mundshme të ndodhë shtrenjtimi i energjisë në kohën në të cilën ndodhemi.

“Shtrejtimi i energjisë elektrike ka kohë që është paralajmëruar por si duket në kohë të fushatës  partia në pushtet e heshti që mos t’i hakmirret në votë por kjo do jetë një realitet por më e renda që ato pagesa në fund të vitit që ju ka proceduar femijëve dhe të moshuarve tani do kthehen prapë në arkën e shtetit por përmes faturave të energjisë elektrike”, theksoi ai për Enigmën.

Një vendim i tillë sipas ekonomistit “do e rëndoj jetën e qytetarit sepse është një produkt që nuk mund të jetohet në jetën bashkohore pa energji elektrike dhe kjo do jetë ngarkesë për portofolin e qytetarit dhe njëherit do e ulë mirëqenien e qytetarit”.

 Opozita e kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Ish deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka akuzuar Qeverinë për vazhdimin e logjikës së keqqeverisjes në sektorin energjetik.

Ai ka thënë se është afati kohor ligjor për shqyrtimin e tarifave dhe se institucionet e shtetit duhet të përgatiten për këtë fazë.

“Është afati kohor ligjor i shikimit të tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të parapërgatiten për këtë fazë. Nga ajo që shihet, Qeveria në shkurt e ka përgatitë terrenin për një rritje të çmimittë energjisë për muajin që vjen e kjo s’do duhej të ndodhte”, shprehet Shala.

Tutje ai shtoi se kjo është “Goditje e rëndë për ekonominë dhe konsumatorin, logjika e keqqeverisjes në sektorin energjetik po vazhdon ende”, deklaroi Shala për Enigmën.

Kurse Hykmete Bajrami, nga LDK ka reaguar pas lajmeve se do të rritet sërish çmimi i rrymës, me ç’rast tha se qytetarët kanë të drejtë ta dinë se a do të do të rritet sërish çmimi i energjisë elektrike.

“Sipas raportimeve të mediave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%, që do të jetë barrë e pa përballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset” shkruan Bajrami.

‘Qeveria në detyrë e ka për obligim të deklarohet nëse do të lejojë të ketë edhe rritje tjetër të çmimit të energjisë nga 1 prill, apo do të marrë masa për ta parandaluar’ shkruan Bajrami në reagimin e saj.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë./GAZETAENIGMA/

Related Articles