Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, më 15 prill të këtij viti ka nënshkruar një Udhëzim administrativ për digjitalizimin e arkave fiskale – por, një vendim i tillë u pezullua nga Gjykata Supreme të martën, shkruan Gazeta Enigma. E një vendim i tillë prodhoi paknaqësi të mëdha tek ekzekutivi në detyrë
Gjykata ka theksuar se një ministër në detyrë nuk ka kompetencë për të nxjerrë Udhëzime Administrative, duke e cilësuar vendimin e Muratit si të jashtëligjshëm.
Reagim të ashpër pati menjëherë nga ministri në detyrë Hekuran Murati ndaj vendimit të Gjykatës Supreme. Ai e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe akuzoi sistemin gjyqësor për ruajtje të interesave të ngushta, teksa i përmendi emrat e gjithë gjyqtarëve që morën pjesë në aktvendim.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupon ndëprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, u shpreh Murati.
Vendimi i Supremës u kritikua edhe nga ekzekutivi.
“Vendimi i Supremes është i brishtë logjikisht dhe kushetueshëm: njeh qeverinë në detyrë, por mohon kompetencën e saj për të nxjerrë akte që nuk janë të ndaluara me ligj, duke krijuar një kontradiktë të qartë”, thuhet në reagimin e Qeverisë në detyrë dhënë të martën.
Supremja në ndërkohë në një kundër-reagim nga ky institucion e kanë kritikuar çasjen e ekzekutivit karshi vendimit të tyre, duke e quajtur ‘tendencioze’.
Por, si vlerësohet qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës Supreme?
Naim Jakaj, përfaqësues i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për Gazetën Enigma ka kritikuar qasjen e ekzekutivit, karshi vendimit të fundit të Supremes.
Sipas Jakajt, një qasje e tillë nga Qeveria në detyrë ndaj Gjykatës Supreme “e cenon shtetin e së drejtës”.
“Qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës Supreme është e rrezikshme dhe cenon shtetin e së drejtës. Është e papranushme që një ministër në detyrë të përmend gjyqtarë me emër në një reagim publik, ky është presion i drejtpërdrejt ndaj gjyqësorit. Vendimet e Gjykatës duhet të respektohen, jo të delegjitimohen me deklarata politike. Ky veprim nuk është vetëm i gabuar, por krijon precedent të rrezikshëm. Në vend që të përdoren mjetet ligjore, zgjedhet rruga e sulmit publik, duke minuar ndarjen e pushteteve dhe integritetin e gjyqësorit”, tha Jakaj për Enigmën.
Si ndikon kjo qasje e partisë në pushtet në sistemin e efikasitetit të drejtësisë?
Nga IDK, potencojnë se veprimet e tilla nga ana e Qeverisë e cenojnë besimin e qytetarëve dhe i ekspozon qëllimisht gjyqtarët ndaj rrezikut.
“Qasja e tillë dëmton dhe cenon besimin e qytëtarëve në drejtësi dhe i ekspozon gjyqtarët ndaj rrezikut. Kur pushteti ekzekutiv e shënjestron gjyqësorin, humbet çdo garanci për pavarësi. Efektet shtrihen prej paralizimit të reformave, frikësimi i gjyqtarëve dhe rrënim i sundimit të ligjit. Nëse lejojmë këtë kulturë, drejtësia bëhet viktimë e politikës, jo garantuese e saj”, përfundoi Jakaj nga IKD.
Çfarë pasoja mund të ketë nëse Qeveria e injoron vendimin e Gjykatës?
Politologu Albinot Maloku, potencon se Qeveria në detyrë në bazë të reagimit që ka bërë ndaj Supremes “ka kontribuuar në krijimin e marrdhënieve armiqësore dhe kundërshtuese me ta”.
“Reagimet refuzuese të eksponentëve të partisë që shfrytëzon ingranazhin shtetëror të Republikës ndaj vendimit të Supremes, janë politikisht jashtëzakonisht të papranueshme dhe ligjërisht fyese ndaj rendit kushtetues dhe ligjor të vendit. Për më tepër praktika e përmendjes me emër e mbiemër të gjyqtarëve, në këtë periudhë të populizmit të pakontrolluar që po kalon vendi, është shqetësuese dhe cenon jo vetëm integritetin e individëve të përmendur, por shërben edhe si paralajmërim për të gjithë ata që besojnë më shumë në drejtësine sesa në moralin e politikanit me pushtet”, u shpreh Maloku për Enigmën.
Tutje, politologu thekson se Qeveria “Kurti 2” duhet të përmirësonte efektivitetin e sistemit të drejtëisë në vend se të kishte marrëdhënie armiqësore me të.
“Nuk mund të konsiderohet kontribut për ndryshim e përmirësim zëvendësimi i individëve të vendosur më parë në pozita kyçe, dhe jo vetëm në sistemin e drejtësisë, me persona që konsiderohen lojalë ndaj vijës politike të partisë në pushtet. Edhe vetë ish-Qeveria Kurti 2 e kishte konsideruar “rikapjen” si një shpjegim për ndryshim në sistemin shtetëror të vendit, gjë që e bën këtë praktikë edhe më problematike. Arsyetimi i tipit “edhe të tjerët kështu kanë vepruar” nuk është i pranueshëm. Vendimet e gjyqësorit, në të gjitha nivelet, janë të detyrueshme për zbatim. Në rast të moszbatimit, pasojnë sanksione. Zbatimi i vendimeve gjyqësore është obligim i të gjitha institucioneve shtetërore, pa përjashtim”, theksoi ai.
“Diktatura nuk kalon”
Kundërshti pati edhe nga ish partitë e opozitës, lidhur me sjelljen e ekzekutivit karshi vendimit të Supremes.
Nga radhët e PDK-së, deputetja Blerta Deliu Kodra, pas vendimit të Supremes tha se “Diktatura nuk kalon”.
“Hekuran Murati ka vepruar jashtëligjshëm! Gjykata Supreme konfirmoi se ai ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ si ministër, edhe pse mandati i tij kishte përfunduar dhe ai ishte tashmë deputet, një shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës dhe ligjit për Qeverinë, (ligj i sponsorizuar dhe votuar nga LVV). Ky akt është i pavlefshëm dhe tregon qartë se në këtë qeveri ligji injorohet për inetersa personale. Diktatura nuk kalon”, përfundoi Deliu.
Kurse nga LDK, lidhur me këtë shkelje të ligjit nga Murati, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.
Deputeti Besian Mustafa ka dhënë detaje për përmbajtjen e kallëzimit penal.
“Këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme e kemi bashkangjitur ne dosjen tonë, pra ku kemi dorëzuar para dy muaje, në muajin 17 kallëzime penale për ish-kryeministrin Kurti dhe ish-ministrat të kabinetit të tij, të cilët në mars janë certifikuar nga KQZ si deputet të Kuvendit të Kosovës. Aktgjykimi i djeshëm ka konfirmuar që një deputet i certifikuar nuk mund njëkohësisht të ushtrojë edhe detyrën në ekzekutiv. Që të jetë dhe kryeministër në detyrë ose ministër në detyrë”, u shpreh Mustafa. /GazetaEnigma/