Gjatë përkujtimit të 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT), Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi rolin e rëndësishëm që kanë luajtur të mbijetuarat e dhunës seksuale në ndërtimin e një jete të re përballë traumave të pashlyeshme.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht ato të drejtuara nga gratë, kanë qenë kyçe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë këtyre 25 viteve, shkruan Gazeta Enigma.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Mirënjohje për to,” tha Kurti.
Kryeministri përmendi përkushtimin e qeverisë për të përballuar të kaluarën dhe për të luftuar padrejtësitë, duke theksuar miratimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Ai shprehu besimin se e ardhmja që po ndërtohet do të jetë më e mirë për të gjithë qytetarët.
“Si shtet e shoqëri po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën. Gëzuar 25 vjetorin,” përfundoi Kurti, duke u angazhuar për një të ardhme më të drejtë dhe më të ndershme për të mbijetuarat e dhunës seksuale./GazetaEnigma/