Kryesindikalistët ndjehen ‘të kërcënuar’ pas deklaratës së kryeministrit Kurti

Kryesindikalistët ndjehen ‘të kërcënuar’ pas deklaratës së kryeministrit Kurti

Në kohën kur po mbahen protesta e po paralajmërohet grevë nga kryesindikalistët kosovar, kreu i Qeverisë, Albin Kurti theksoi se sikurse në politikë, ndryshime është mirë të bëhen edhe në udhëheqjen e sindikatave, shkruan Gazeta “Enigma”.

E ndaj deklarimeve të Kurtit të mllefosur janë shprehur kryesindikalistët, të cilët një thirrje të tillë po e shohin ‘si kërcënim’ direkt ndaj udhëheqjes së tyre.

Rrahman Jashari, kryetari i Sindikatave të Bashkuara ë Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka deklaruar për Gazetën “Enigma”, se që nga paslufta asnjëri prej kryeministrave të vendit s’ka bërë deklarime të tilla.  

“Nuk e kemi pritur një deklaratë të tillë të kryeministrit ngase në 20 vitet e pasluftës është hera e parë që një kryeministër në vend se të kryej obligimet dhe detyrat e tij dhe të jetë prirës i dialogut, ai gjeti kohë dhe mundësi që të shpreh vullnet të hapur që të bëhen ndryshime në udhëheqjen e sindikatave në Kosovë”, ka thënë ai.

Në vend të këtyre komenteve, sipas tij kreu i Qeverisë duhet të fokusohet në përmirësimin e kushteve të punëtorëve në sektorin publik.

“Kjo është deklaratë që s’është dashur të bëhej. Kurti në vend të kësaj duhet të punoj në drejtimin që të ndikoj tek ministrat e tij, veçmas tek ministri Hekuran Murati, që ta nxis dialogun social, sepse ai e ka këtë detyrë ligjore që së paku një herë në muaj të ketë takime me odat dhe të sindikatave”, shtoi ai.

Kurse, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka deklaruar se zgjedhja e kryetarëve të sindikatave është vullnetare.

“E drejta për t’u anëtarësuar në sindikatë është vullnetare, më pastaj edhe zgjedhja e udhëheqësve është vullnetare. Zgjedhjet nëpër federata bëhen në mënyrë demokratike, ne si sindikata nuk i ndërhyjmë askujt”, ka thënë Hykolli.

Syla: Kurti e ka tepruar me shantazh


Edhe më i mllefosur se dy homologët e tij, është shprehur Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili deklaratën e kryeministrit e ka cilësuar si shantazh të drejtpërdrejt.

“Kryeminstri paska punë edhe me kreun e FSSHK-së i cili nuk po i shkojka për shtati. Shoku Kurti sikur e ka tepruar me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit tim, por po ju rikujtoj se koha e diktatorëve ka kaluar dhe cdo tendencë e jotja do të dështoj”, është shprehur Syla.

Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

 Sipas tij, liderët sindikalë zgjidhen nga punëtorët shëndetësorë e jo nga politika.

Ndërkohë të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti, kur u pyet për grevat e paralajmëruara.

“Duhet të kemi greva të ligjshme sepse Qeveria e Kosovës po bën gjithçka që të ju dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë”, shtoi Kurti më tej.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor ka mbajtur grevë 8-orëshe.

Në krye të kësaj greve ishte kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga. / Gazeta Enigma.

Related Articles