Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid, pas rritjes enorme të infektimeve dhe rritjes së viktimave nga Coronavirusi.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka treguar se kanë qenë të informuar dhe i përkrahin masat e reja.
“Po ne në takimin e Këshillit të Kryetarëve që e patëm me ministrin, masat nga kryetarët e komunave u përkrahën mirëpo nuk kemi diskutuar diçka rreth mbylljes”, ka thënë ai.
Por ai tha se kryetarët e komunave kanë qenë kategorikisht kundër mbylljes totale të vendit.
“Rekomandimet e kryetarëve dhe tonat janë që mos të ketë mbyllje”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi më tutje u shpreh se si Asociacion i Komunave kanë pasur disa rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Interesimi për vaksinim është rritur, e ne po kërkojmë që të hapen qendra të reja për vaksinim në mënyrë që të iu u ofrohet ky shërbim qytetarëve”, u shpreh ai.
Ibrahimi tha se kërkesat e kryetarëve kanë qenë që të punohet edhe të dielave dhe të shtohet numri i inspektorëve.
“Kemi kërkuar rritje të personelit shëndetësorë dhe rritje të inspektorëve, poashtu kemi kërkuar që përveç të shtunave edhe të dielave me qenë të hapura qendrat e vaksinimeve”, ka thënë ai.
Masat e miratuara në Qeveri janë në fuqi deri më 13 shtator e pas kësaj date ato ka gjasa të largohen apo të vazhdohen varësisht nga situata epidemiologjike në vend.
“Ne jemi dakorduar që para 13 shtatorit me u taku të shqyrtojmë situatën dhe në bazë të rrethanave të shikohen mundësitë se a të tërhiqen masat”, tregoi Ibrahimi për Front Online.
Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, pasi situata me Coronavirusin është përkeqësuar. Vetëm dje u regjistruan 36 vdekje nga virusi, më së shumti që nga fillimi i pandemisë. Nga sot, ora policore do të jetë në fuqi nga ora 22:00 deri në 05:00, policët pritet të punojnë 12 orë.