Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar sërish lidhur me situatën energjetike në vend, raporton Gazeta Enigma.
Pas kthimit të reduktimeve, ai ka bërë disa pyetje në drejtim të kryeministrit Kurti lidhur me këtë gjendje.
Haradinaj ia ka përmendur Kurtit dhe VV’së edhe projektin për gazjellësin amerikan, që u refuzua.
“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë?
“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë?”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka pyetur se pse nuk është punuar gjatë verës për rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë gjatë verës, por e pritën dimrin.
Tutje, Haradinaj ka pyetur se kujt ia kishin borxh terrin qytetarët e vendit.
Gjithashtu, ai ka pyetur edhe se si do të jetë dimri i ardhshëm “me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre”.
“Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë? Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje?”.
“Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë meritu ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit? Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?”, ka shkruar Haradinaj.