Kundërshtime të ashpra pas vendimit të fundit të Speciales – Deklarohen PDK dhe OVL e UÇK-së

Kundërshtime të ashpra pas vendimit të fundit të Speciales – Deklarohen PDK dhe OVL e UÇK-së

Prokuroria e Hagës ka hedhur poshtë mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, shkruan Gazeta Enigma.

Avokatët e Thaçit dhe të tjerëve pretendojnë se në Kosovë nuk ka pasur konflikt pas qershorit 1999 dhe para fundit të majit 1998. Si rezultat, ata kishin kërkuar të rrëzohen akuzat për incidente që janë kryer para ose pas këtyre datave, gjë që u hodh poshtë nga Prokuroria e Hagës.

Vendimin e Speciales e ka kundërshtuar ish-pjesëtari i UÇK-së nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, i cili tha se ky vendim është i padrejtë dhe, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së shumë shpejt do të kthehen me fitore në vend.

“Është vendim i padrejtë i Gjykatës Speciale, realisht po shihet se është një montim i provave dhe besoj që shumë shpejt do të kemi një vendim përfundimtar, ku do të dalin fitues krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesit e shtetit”, tha Beqa për Enigmën.

Tutje ai theksoi se “ata padrejtësisht mbahen atje, ata ende janë duke punuar në synimin e lirisë. Ajo Gjykatë është politike dhe mendoj se edhe vendimi përfundimtar do të jetë politik”.

“Jam shumë i bindur që ata do të dalin fitimtarë dhe do të kthehen këtë vit në Kosovë më të fortë dhe më të fuqishëm se sa kur kanë shkuar atje. Po vërehet mungesa e tyre në institucione, por edhe në integrimin dhe zhvillimin e vendit”, deklaroi Beqa për Enigmën.

“Niveli më i ulët i kombit shqiptar ka dëshmuar atje”

“Ata tani i duhen më shumë se kurrë Kosovës. Padrejtësisht janë atje, ky vendim është i padrejtë. Ne e kemi parë në bazë të disa videove të fundit se me çfarë niveli po përballen ata. Niveli më i ulët i kombit shqiptar ka dëshmuar atje. Ata që e hanë bukën e Kosovës, ua bëjnë argatin Serbisë”, përfundoi ai.

Ndërsa Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), tha se ky vendim i Gjykatës Speciale nuk është i papritur për të.

“Për mua nuk është një vendim i papritur. Kjo Gjykatë nuk e çan kokën se si sillet dhe çfarë shkeljesh bën. Unë e kam ditur që aktakuza nuk do të rrëzohej tërësisht, sepse qëllimi nuk është rrëzimi i saj, por gjetja e ndonjë fajtori për ta përforcuar atë me dëshmitarët që i ka sajuar”, tha ai.

“Prandaj, kjo Gjykatë është krijuar për të sajuar dëshmitarë dhe për të dënuar një UÇK dhe një Kosovë”, shtoi Haradinaj për Gazetën Enigma.

Tutje, Haradinaj theksoi se prokurori Matthew Halling ka kaluar si “përforcim” në këtë rast jo rastësisht:

“Do ta shihni që kjo Gjykatë do të tentojë të seleksionojë edhe dëshmitarët e mbrojtjes. Këtë e them nga përvoja ime, sepse e ka bërë edhe me ne. E njoh atë trup gjykues, kam pasur punë me të njëjtin trup dhe çka është më primarja – besoj se qëllimisht është bërë që mua të më bindin. Prokurori Halling, që ka qenë edhe tek unë, ka kaluar atje si përforcim dhe kjo nuk është rastësore”, tha ai.

“Me këtë qetësi të të gjithëve – qoftë pushteti, qoftë njerëzit e partive apo edhe të vetë PDK-së – vendimi final mund të jetë dënim për ish-krerët e UÇK-së, nëse populli nuk ngrihet në këmbë”, përfundoi Haradinaj.

“Historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave”

Për vendimin e fundit të Speciales ka reaguar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili potencoi se vendimi përfaqëson “një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare”.

“Sot, Gjykata Speciale në Hagë refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimit. Edhe ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta”, tha Krasniqi përmes “Facebook”.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, tha ai.

Ai tha se “Historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri”.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht!”.

Tashmë ka kaluar një muaj që kur mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së e ka dorëzuar këtë mocion, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte afat deri më 14 korrik, megjithëse kundërpërgjigjen e kishte çuar në adresë të gjykatës më 7 korrik./Gazeta Enigma

Related Articles